Vala

Të punosh në televizion është kënaqësi dhe sfidë, njëkohësisht, pasi përgjegjësia duhet të jetë e madhe, sepse je para një audience që të ndjekë me vëmendje. Dhe, shikuesit mezi presin të gjejnë ndonjë gaf për ta komentuar më pas gjerë e gjatë.

Përgjithësisht, prezantuesit mundohen t’i fshehin lapsuset, por jo edhe këtë herë, shkruan “Kosovarja”.

Kiki Rahmani:
– Gaf interesant ka qenë kur e kam pasur në emision avokaten Fehmije Gashi-Bytyqi dhe burrin e saj, piktor. Kur i prezantova në emision, thashë: “Të ftuar kam Fehmije Gashi-Bytyqin dhe Agim Gashin. D.m.th, burrin e saj e prezantova me mbiemrin e vajzërisë së Fehmijes! Dhe, ata filluan të qeshin…
Afrim Blytën e kam prezantuar me Afrim Bleta, e më pas Afrim Blyta, derisa e qëllova!

Lekë Rezniqi
– Momentet më të vështira janë gjatë prezantimit “live”. Kështu, në një rast, ka ndodhur një mosmarrëveshje me orarin e prezantimeve të lajmeve. Në moment të fundit ka ndryshuar orari i prezantimit mes meje, Aurorës, Florës etj.

Unë u nisa për në shtëpi, ndërkohë që ishte ora 15. Dola prej KTV-së dhe kur arrita në sheshin “Nëna Terezë”, marrë një telefonatë nga puna. Mendova: “A thua, çka paskam harruar?!”. Redaktori i lajmeve më thotë:

“Lekë, ku je?”.

“Në rrugë për në shtëpi”, ia ktheva.

Redaktori më pyeti se kush është në lajme dhe unë ia thashë:

“Nuk e di, unë s’jam. Dikush prej “çikave”, Aurora, Flora ose dikush tjetër”.

“E, ku je ti, a je larg, a?”.

“Jo, në shesh. A të kthehem?”.

U ktheva me vrap dhe kur arrita ishte ora 15:10 minuta. Isha i mbushur frymë. Nuk mund t’i ngopja me ajër mushkëritë. Fillova të lexoj… Nuk më kujtohet lajmi, por e di se nuk kam mundur ta qoj deri në fund leximin. Në koordinim me dhomën e regjisë, u desh të bëja një pauzë të vogël, të mbushesha frymë dhe, tek pastaj, të vazhdoja edicionin.

Shpend Lipa
– Sado të kesh vetëkontroll, nganjëherë në transmetim televiziv gjërat dinë të dalin jashtë kontrollit. Ndodh të të qeshet bash kur nuk duhet dhe më pas nuk mund të ndalesh. Kështu më ka ndodhur para një kohe, derisa isha në transmetim direkt dhe po flisja për Encën.

Thashë se Encën jo vetëm që e kanë marrë ujërat e famës, por edhe e kanë përbi krejt! Nuk e di pse, por kjo më ka shkaktuar një të qeshur, e që nuk më ndalej më. E di që s’kam mundur të vazhdoj dhe se njerëzit kanë parë një qeshje të paparë në ekran.

Adelina Hasani
– Edhe unë po lidhem, pikërisht, me këtë që tha Shpendi, e që definitivisht ka qenë një prej ngjarjeve më të sikletshme dhe të lezetshme, njëkohësisht, sepse ende kur e kujtojmë qeshim me të.

Mbaj mend se e gjithë rrjedha e emisionit ka vazhduar me vështirësi, pasi për disa minuta nuk jemi ndalur duke qeshur… Shpendi mundohej, të paktën, të komentonte pjesën e shou- bizit, por unë kurrsesi… Madje, e di se është dashur ta ndërpresim transmetimin me marketing, sepse nuk arrija as ta përfundoja fjalinë.

Megjithatë, mendoj se kjo është “madhështia” e emisioneve “live”, pasi edhe shikuesi e ka mundësinë të shoh ngjarjet reale, të pa fshehura dhe të pazbukuruara në montazh. N. Neziri /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË