Ditë më parë lexova një kërkesë të gazetares Etleva Bragjeçi: “Nëna shqiptare, qani për fëmijën që u digjet, qani e ulërini për shumë fëmijë të vendit tonë që nuk kanë me çfarë të ushqehen, e mos qani për telenovelat, se jeta në Shqipëri e Kosovë nuk është një telenovelë, por një dramë e vërtetë”, shkruan “Kosovarja”.

Është e çuditshme sesi jemi shndërruar në një popull, përveçse politik, edhe në një popull telenovelash.

Është e çuditshme sesi shoqëria jonë, e mbi të gjitha rinia jonë, fle gjumë e nuk “bërtet” për padrejtësitë që i bëhen, nuk ulërinë për prekjen e interesave vetjake e publike, por qanë për “Azrën” e serialit “Mos ma lësho dorën” dhe për Azrat e tjera të serialeve turke…

Dhe, kohë më parë, teksa përcillja se personazhi kryesor (Azra), i një prej telenovelave më të ndjekura në Kosovë, ballafaqohet me humbjen e vëllait të vogël, mendova:

Sa keq është katandisur shoqëria jonë! Si ka mundësi që një “ngjarje” e tillë shkakton “reaksion” te shoqëria jonë?

Si ka mundësi që për një telenovelë futen të gjithë nëpër rrjete sociale me statuse pa fund, kurse për Kosovë, e cila është zhytur në kaos politik, as që e bënë kush dert këtë punë!

Si ka mundësi që kur fiton Kombëtarja jonë të gjithë bëhemi patriotë e shkruajmë ku të mundemi në media a rrjete sociale dhe kur ndodh një fatkeqësi secili prej nesh shikon vetëm pragun e derës së vet?

Si ka mundësi që kur ndodh ndonjë akt terrorist kudo në botë, të gjithë solidarizohemi, kurse kur ndodh ndonjë tragjedi në vendin tonë, vetëm pak metra larg shtëpisë sonë, nuk shkruan njeri “Edhe unë solidarizohem me dhimbjen tënde”?!

Shqiptarët shqetësohen për telenovela, por nuk shqetësohen për rritjen e çmimeve që po ndodhin çdo ditë!

Shqiptarët shqetësohen se kush do të emërohet në krye të kësaj apo asaj partie, e nuk shqetësohen për rritjen e çmimeve të ushqimeve që konsumojnë çdo ditë, e, mbi të gjitha, për cilësinë e tyre!

Shqiptarët dalin në shesh për të protestuar që të ikë një qeveri e të vijë një tjetër, por nuk ngrenë zërin për problemin e papunësisë, ku pjesa dërmuese e të rinjve (me diploma në xhep), sillen poshtë e lartë, të papunë, pa perspektivë për jetë…
Keq, shumë keq, a? Diturie Haxhaj /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË