Qeveria në detyrë e Kosovës ka nisur një letër për anëtarët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian ku kanë njoftuar për gjendjen në Kosovë lidhur me mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë dhe dekretin e Presidentit Thaçi për të mandatuar qeverinë e re të udhëhequr nga LDK’ja.
Në këtë letër përmendet edhe emri i Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, që sipas qeverisë lëvizjet antikushtetuese të Presidentit janë në kundërshtim edhe me qëndrimet e kryetares së Kuvendit.
“Kjo është një lëvizje antikushtetuese, e cila është gjithashtu në kundërshtim me qëndrimet e kryetares së Kuvendit, zonjës Vjosa Osmani”,
Në këtë letër dërguar Komitetit të Punëve të Jashtme të PE’së qeveria e Albin Kurtit është ankuar se pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë më 25 mars 2020, Presidenti Thaçi nuk ka vepruar sipas detyrës kushtetutese të tij, që i’a përcakton neni 82.2 i Kushtetutës së Kosovës për të shpërndarë Kuvendin dhe për shpalljen e zgjedhjeve të reja.
“Presidenti Thaçi ka marrë rol aktiv me iniciativë të tij të tentim për të formuar qeveri të re edhe pse një rol i tillë është shprehimisht i ndalohet nga gjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.
Tutje në letër thuhet se veprimi i Presidentit Thaçi duke shfrytëzuar pandeminë me Covid-19 i përkrahur edhe nga disa parti politike ndërmorrën disa veprime që tentuan të improvizojnë një skemë jokushtetuese.
“Me arsyetimin se nuk ekzistojnë kushtet që e lejojnë organizimin e mbajtjes së zgjedhjeve, presidenti, i përkrahur nga disa parti politike, e mori një varg veprimesh me të cilat ata janë përpjekur të improvizojnë një skemë antikushtetuese”, thuhet tutje.
Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të qeverisë lidhur me vërtetësinë e letrës.
Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu nuk e ka mohuar ekzistimin e kësaj letre të qeverisë drejtuar Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, por nuk ka dashur të komentojë mbi vërtetësinë e saj. /GazetaExpress/