Zgjedhjet e reja, e që pritet të mbahen kah muaji tetor, janë përfshirë në matematika joparimore për pozitën e të parit të qeverisë së shtetit, shkruan “Kosovarja”.

LDK dhe VV kanë gjasë të shkojnë në zgjedhje si koalicion i fuqishëm parazgjedhor, që do të ishte më së afërmi ta bënte qeverinë e re.

Deri tani mospajtimet për një koalicion parazgjedhor LDK –VV kanë hasur në pengesë, shkaku i postit të kryeministrit.

Andaj, është në interesin e Republikë së Kosovës që të vjen një qeveri e duhur dhe jo korruptuese dhe në këtë konstalacion kohe, kur do të ketë zgjedhje të reja, është mirë të bëhen gjërat ndërpartiake me kritere.

Kriter numër një nuk është deklarata e LDK-së se kjo parti është më e madhja dhe duhet ta ketë kryeministrin të vetin, por duhet të jetë shumica elektorale.

Se sa është e madhe një parti, përcaktohet nga përqindja votuese. Cilado parti që fiton më shumë vota, duhet ta ketë kryeministrin nga radhët e veta. Por, nëse kjo shikohet për momentin, VV është humbëse nëse shkon në koalicion parazgjedhor me LDK-në.

Kjo e fundit nuk pritet të fitojë vota më shumë se që ka fituar në zgjedhjet e fundit dhe, sipas rrethanave ekzistuese në vend, VV duhet realisht të jetë në epërsi të lartë ndaj LDK-së.

Në çdo matematikë për kryeministrin e ardhshëm, Ramush Haradinaj duhet të jetë kandidat, sepse identifikohet besnikërisht me shtetin.

Normalisht, ka edhe variante të tjera për bashkim forcash partiake, nëse duan ta qojnë në opozitë PDK-në.

AAK është, realisht, fuqia numër një politike në Republikën e Kosovës. Nëse jo direkt nga vota, AAK është parti kredibile dhe më e fuqishmja në vend për qëndrime pro shtetit.

Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare e dinë se me të gjithë liderët politikë në Kosovë mund të luajnë si macja me miun, pos me Ramush Haradinajn.

Ramushi, si kryeministër në dorëheqje, ka lënë pas vetes bagazh të rëndësishëm, e që janë shtylla të shtetit.

Ushtria e Kosovës, taksa, bërja me gisht kah Federika Mogherini se po e përkrahë Serbinë, kanë qenë temat kryesore që e kanë dridhur Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Ramush Haradinaj ka ndikuar direkt në ruajtjen e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës në kohën kur u fol se kush dhe si po duan t’i shkëmbejnë territoret.

Në kohën e shfaqjes së hartave të djallit në mediet e Kosovës dhe të Serbisë, Serbia dhe Rusia, si dhe miqtë e saj, janë tronditur sa e sa herë se si Ramush Haradinaj ka dalë “arrë e fortë” edhe për diplomatët amerikanë e të BE-së në qëndrimet për mbajtjen e taksës kundër Serbisë, gjë që ka qenë tepër e vështirë t’u thuhet jo amerikanëve dhe evropianëve dhe të ruhet miqësia me ta.

Shtypi serb çdo ditë bombardon me dezinformata për Ramushin dhe familjen Haradinaj. Natyrisht, krejt kjo falë inateve ndaj të parit të qeverisë Haradinaj, e që e goditi Serbinë, duke ia kufizuar në 90% tregun e saj.

Thënë shkurt e shqip, Ramush Haradinaj duhet të jetë sërish kandidat i preferuar për kryeministër, sepse ka projekte që duhet t’i vazhdojë aty ku kanë mbetur, por edhe për ethet që duhet ta mbajnë Serbinë me qëndrimet e tij pro shtetit të Kosovës.

Ramush Haradinaj mund të lidhet me cilindo bllok partiak që do ta bënte politikën kosovare për një qeveri të re. Kosova është në një moment të ndërlikuar politik dhe ecja e saj mund të jetë më stabile me Ramushin kryeministër.

Në Kosovë, sidoqoftë, kryeministri duhet të jetë besnik dhe të jetë i besueshëm në favor të shtetit.

Kosova nuk guxon të ketë kryeministër që e futë në zjarr shkëmbimin e territoreve, sepse territori i Kosovës është i panegociueshëm. Sepse, ta shkëmbesh tokën shqiptare me tokë shqiptare është dhuratë për Serbinë! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË