fbpx

Remzi Ejupi në vizitë e takime të rëndësishme në Shqipëri, pritet të ndikojë në zhvillimin e turizmit

nga Revista Kosovarja

Afaristi i njohur dhe pronari i kompanisë Eurokoha, Remzi Ejupi është shprehur i lumtur për kontributin që ka dhen së fundmi në fushën e turizmit në Shqipëri.Ejupi ka qenë pjesë e një delegacioni mjaft të rëndësishëm i cili ka qenë këto ditë në Shqipëri, e që pritet të ndikojë në zhvillimin e turizmit atje.

Ai ka treguar se pas shumë vitesh përpjekje, kanë arritur që të sjellin për një vizitë në Shqipëri, Thomas Bösl, drejtuesin dhe koordinatorin e Grupit RTK (Raiffeisen-Tours-Kooperation), që është bashkëpunimi më i madh i agjencive të udhëtimit në Europë, që përfshin rreth 4,200 agjenci me të ardhura totale prej 3.5 miliardë euro.

Ejupi ka treguar se bashkëpunimin me grupin “Raiffeisen-Tours-Kooperation”, është bashkëpunimi më i madh i agjencive të udhëtimit në Europë, e që paraqet potencial të madh për Shqipërinë.

Afaristi Ejupi, ka treguar se pjesë e delegacionit ishte edhe Hüseyin Baraner, që njihet si një nga pionierët e bashkëpunimit turistik midis Turqisë dhe Gjermanisë, me eksperiencë me shumë se 40 vjeqare në turizëm ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në sektorët e turizmit në Evropë dhe më gjerë.Shkrimi i plotë i Ejupit:

Shumë i lumtur të kontriboj në zhvillimin e turizmit.

Pas shumë viteve përpjekje, arritëm të realizojmë një vizitë shumë të rëndësishme për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, duke sjellë në rivierën shqiptare z. Thomas Bösl, drejtuesin dhe koordinatorin e Grupit RTK (Raiffeisen-Tours-Kooperation) që është bashkëpunimi më i madh i agjencive të udhëtimit në Europë, që përfshin rreth 4,200 agjenci me të ardhura totale prej 3.5 miliardë euro. RTK në pronësi të Raiffeisenbanken Alttöting në Bavari ofron për partnerët e saj zgjidhje profesionale dhe inovative në fushat e shitjes, marketingut dhe teknologjisë, si dhe avantazhin e një rrjeti të gjerë.

Fillimi i bashkëpunimit me RTK paraqet një potencial të madh për Shqipërinë që Shqipëria të bëhet një destinacion kryesor për turistët nga Gjermania, Austria, Zvicra, shtetet e Beneluksit dhe ato Skandinave. Ky bashkëpunim, duke filluar nga viti 2025, pritet të sjellë miliona turistë të rinj në Shqipëri nga këto shtete.

Pjesë e delegacionit ishte edhe z. Hüseyin Baraner, që njihet si një nga pionierët e bashkëpunimit turistik midis Turqisë dhe Gjermanisë, me eksperiencë me shumë se 40 vjeqare në turizëm ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në sektorët e turizmit në Evropë dhe më gjerë.

Gjatë vizitës dyditore, me z. Thomas Bosl, se bashku z. Hüseyin Baraner eksploruam bregdetin e bukur shqiptar dhe pamë nga afër projektet e përfunduara dhe ato në ndërtim, duke filluar nga Durrësi dhe Gjiri i Lalëzit, deri në Vlorë, Orikum, Dhërmi dhe Borsh. Po ashtu, vlerësuam nga afër zhvillimin e infrastrukturës turistike në Shqipëri, përfshirë rrugët e reja, tunelin e Llogarasë dhe ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

“Ndërtimi i Aeroportit të Vlorës, i cili po realizohet nga sipërmarrësi i njohur kosovar, z. Behgjet Pacolli, është padyshim një nga projektet më të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në jug të Shqipërisë. Z. Pacolli po dëshmon edhe njëherë aftësitë e tij për realizimin e projekteve të mëdha në një kohë të shpejtë, ku sipas dinamikës së punimeve, ky aeroport pritet të hapet në fund të vitit 2026.”

Gjatë vizitës, u pritëm gjithashtu nga z. Samir Mane, Presidenti i Balfin Group, i cili na prezantoi projektet që Balfin Group po realizon në fushën e turizmit. Patëm mundësinë të shohim nga afër projekte si Green Coast, Vlora Marina dhe Marriot International.

Në Aeroportin e Tiranës, përfaqësues të Kastrati Group, përveç qe prezantuan punën e shkëlqyer të Aeroportit të Tiranës, i cili këtë vit pritet të bëhet aeroporti me numrin më të madh të udhëtarëve në Ballkan, prezantuan edhe projektet turistike dhe zhvillimin e kapaciteteve turistike me brende botërore të hotelierisë si Hyatt Regency, Hilton, etj.

Vizituam gjithashtu projektet e Morina Palace në Dhërmi, Radisson Blu në Borsh, Pinea Hotel në Durrës të sipërmarrësit nga Kosova, z. Ragip Mustafa, si dhe kapacitetet masive të Fafa Hotel.”

Veçanërisht mbresëlënës ishte projekti i zhvilluar nga Artan Dulaku, themelues i Concord Investment, i cili ka sjellë në Gjirin e Lalëzit markën ndërkombëtare të hotelerisë, Melia Hotel. Ky hotel ofron kapacitete të mëdha akomodimi dhe shërbime të plota të standardit botëror.

Shqipëria dhe Kryeministri Edi Rama, gjatë viteve të fundit, kanë treguar përkushtim për zhvillimin e infrastrukturës dhe politikave që mbështesin turizmin, veçanërisht për promovimin ndërkombëtar të turizmit shqiptar. Një ndër sukseset më të mëdha është pjesëmarrja në Panairin e Berlinit, panairi më i madh i turizmit në botë, ku Shqipëria pritet të prezantohet edhe më fuqishëm në eventin e ardhshëm që do të mbahet në mars 2025.

Vizita u përmbyll me pritjen nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, i cili shprehu mirënjohje për bashkëpunimin me grupin RTK dhe falënderoi z. Thomas Bösl për vizitën, duke siguruar përkushtimin e shtetit shqiptar ndaj zhvillimit turistik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Z. Thomas Bosl, pas përfundimit të vizitës, u shpreh shumë i kënaqur me potencialin turistik që ofrojnë Shqipëria dhe rajoni.

Shqipëria, së bashku me destinacione të njohura në Kosovë si Brezovica, Malet e Sharrit, Gryka e Rugovës, Prevalla, etj., ofron potencial turistik që shtrihet gjatë gjithë vitit dhe nuk kufizohet vetëm në sezonin veror.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]