Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, së fundi ka vizituar Ndërmarrjen “Trepça” për të parë nga afër gjendjen atje. Rizvanolli në një intervistë për “Indeksonline”, thotë se gjendja në “Trepçë”, mbetet sfiduese, përkundër përmirësimeve që janë bërë viteve të fundit.
“Gjendja në Trepçë është ende sfiduese, përkundër faktit që në shumë aspekte ka pasur përmirësime në vitet e fundit, në kuptim të borxheve të së kaluarës që janë paguar, në kuptim të uljes së disa shpenzimeve operative. Megjithatë ka dhe mangësi dhe sfida të mëdha, që rrjedhin dhe prej mungesës së një ristrukturimi të mirfilltë dhe prej mungesës së investimeve për dekada të tëra. Trepça nuk është aty ku e dëshirojmë dhe ku e meriton. Sigurisht ka shumë punë dhe sfida, por jam shumë optimiste veçanërisht pas vizitës që e pata, duke e parë një vullnet, një unitet më të madh në mes të punëtorëve dhe menaxhmentit. Mendoj që kemi një ekip menaxhues tanimë i cili është profesional dhe e gëzon respektin e të gjithë punëtorëve aty dhe me të cilin do ta kemi me lehtë ne dhe ndërmarrja që t’i identifikojmë sa më shpejtë investimet e duhura dhe të vazhdojnë investimet”, tha ajo.
https://www.facebook.com/watch/?v=821381773045426
Thotë se qëllimi i Qeverisë është forcimi i Ndrmarrjeve Publike, por për të investuar në to, duhet t’i plotësojnë disa kushte.
“Qëllimi ynë si Qeveri është që Ndermarrjet Publike të forcohen…Në “Trepçë” dhe natyra e problemeve është më e thelluar. Është e natyrshme që rezultatet nuk shihen shpejtë. Mirëpo në parim ne jemi për përkrahjen pa rezervë për ndërmarrjet publike, mirëpo me kushtin që NP, Bordet menaxhmenti dhe punëtorët të japin maksimumin dhe të punojnë në të miren e ndërmarrjes, të punojnë me nder dhe zell. Për “Trepçen” në vitin e kaluar e kemi miratuar në parim një kredi prej 20 milion euro dhe plani ka qenë të fillojnë investimet, në një flotacion të ri dhe në disa makineri të reja të prodhimit. Kjo nuk ka ndodhur për një kombinim arsyesh, që disa prej tyre kanë qenë objektive. Është dashur kohë që të hulumtohet tregu, të shihet cilat teknologji janë të përshtatshme për kontestin e Kosovës. Mirëpo gjithashtu si Qeveri nuk e kemi pasur ende bindjen e plotë se në “Trepçë”, është arritur një kontroll në nivelin e duhur, kontroll operativ dhe financiar, i cili na lejon që me siguri t’i japim këto para të taksapaguesve tek “Trepça”. Në ndërkohë me ndryshimet që janë bërë në Bord dhe në menaxhment, e kemi besimin e plotë që situata do të përmirësohet shpejtë aty ku është e mundshme dhe do të na lejojë që të vazhdojmë me investimet që janë planifikuar”, ka pohuar Rizvanolli.