fbpx

RrGK reagon pas futjes në BBVK të Atillas: I papranueshëm promovimi i një të akuzuari për dhunë ndaj gruas

nga Revista Kosovarja

Futja e Atilla Kardesh, i cili ishte denoncuar si i dyshuar për dhunë në familje, në spektaklin televiziv “Big Brother Vip Kosova” në Klan Kosova ka nxitur reagimin e shumë organizatave për mbrojtjen e të drejtave të grave.

Një reagim i tillë është bërë edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës, e cila ka shprehur shqetësimin për promovimin publik të personave të dyshuar për dhunë me bazë gjinore.

“Ajo që ka ndodhur mbrëmë në një show në Klan Kosova, është e papranueshme dhe bie ndesh me përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar dhunën me bazë gjinore, një fenomen i përhapur që cenon mirëqenien e grave dhe vajzave në shoqërinë tonë”, thuhet në reagimin e RrGK-së.

Tutje sipas Rrjetit të Grave, të promovosh figura të përfshira në raste të tilla nuk është vetëm e papërgjegjshme, por sipas kësaj organizate dërgon një mesazh të rrezikshëm se dhuna ndaj grave mund të tolerohet apo të minimizohet.

“Bëjmë thirrje që mediat të marrin përgjegjësinë për të reflektuar seriozitetin që e ka ky problem dhe të jenë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit”, theksohet më tej.

Gjithashtu u shtua se dhuna me bazë gjinore duhet të dënohet pa asnjë hezitim dhe duhet të luftohet me vendosmëri nga të gjithë në çdo mënyrë që munden – për një shoqëri më të drejtë dhe të sigurt për të gjithë.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]