Po e nisim këtë shkrim me një thënie të Faik Konicës, që edhe pas 100 vjetësh është aktual dhe i përgjigjet fushatës së ashpër zgjedhore që ka nisur në Kosovë, për të përfunduar më 6 tetor. “O pushtetarë… o m…!”, shkruan “Kosovarja”.

“Kur votoj për surratin tënd, jam i përgatitur të të mbaj në shpinë për katër vjet, po vetëm ty ama… jo edhe vilat tua, veturat, qentë, dashnoret tua… Ndaj, kujdes kur të të shkarkoj, nuk do biesh aq butë sa hipe!” (Faik Konica).

Kosova është e vogël sa për të mos u njohur mes vete njerëzit e partive, ata që vijnë e shkojnë nga partitë, ata që vijnë vonë dhe ata që shkojnë herët.

Shkrimtari i madh afgan, Khalid Hoseini, në librin shumë të shitur “Gjuetari i balonave”, thotë:

“Merr dy afganë nga dy polet e vendit dhe futi në një dhomë vetëm njëzet minuta. Dhe, kur të dalin prej aty, së paku, do dalin kushërinj”.

Andaj, edhe te ne, debatet televizive janë bërë zbulues të intrigave të liderëve dhe atyre që sillen rreth tyre.

Po të funksionojë shteti dhe prokuroria, me të mbaruar debatet, kryeprokurori do të duhej ta aktivizonte mekanizmin e vet për t’i kapur te dera e studiove debatuesit që akuzojnë njëri-tjetrin për hajni.

Akuzat e ndërsjella do të duhej të avanconin në informacione statistikore të shtetit dhe njëri ndër efektet e këtij problemi do të ishte:

Qytetarët, apo populli, do të kuptonin, më në fund, diçka të vërtetë nga panelistët rreth hajnisë, akuzave dhe pushtetit, sepse kemi ardhur në derexhe kur të gjithë akuzojnë, shajnë, grinden në debate dhe askush nuk kupton asgjë!

Dhe, ç’është edhe më keq, qytetarët krejt çka kuptojnë është se të gjithë politikanët janë të korruptuar apo hajna!

Megjithatë, votën duhet ta qesin për dikë. Por, qysh jepet vota kur të gjithë janë të njëjtë?! Askush nuk ka burrëri e as fjalë që do i mbajnë! E mbrojnë partinë e vet, duke i sulmuar të tjetër fakte e pa fakte!

Se, ata që kanë fakte nuk kanë nevojë të nxehen, as të rrihen! Temperamentet dhe sharjet, thjesht ofendimet, nuk i zëvendësojnë faktet. Argumenti është mbreti i çdo krenarie virtuale, oratorie e debati…

Partitë dhe liderët e krimit
Nga të dhënat e shërbimeve të huaja që veprojnë në Kosovë qe 20 vjet, politika në Kosovë është një lloj krimi!

Politika është kupola e krimit! “Peshqit e mëdhenj” janë bosët, rreth të cilëve sillet paraja dhe çdo gjë me vlerë materiale!

Andaj, këta që dalin në debate, i thyejnë dhëmbët për bosët e tyre, sepse të gjithë marrin direktiva se çka të flasin dhe i mbajnë para vetes celularët, ku marrin sms se kë duhet etiketuar me fakte e pa fakte…

Dhe, të kthehemi në kohë. Në zgjedhjet e para pas lufte në Kosovë, kur fitoi Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, i zhgënjyer nga humbja, tha:

“Rugova nuk guxon në Prishtinë me bë marrëveshje me Serbinë, pos nëse i bën ato në Beograd!”.

E, në zgjedhjet tjera, kur e fitoi pushtetin, nisi ta imitojë Ibrahim Rugovën, me të njëjtën filozofi politike, sepse realisht ashtu ishte gjendja si për Thaçin si për Rugovën!

Dhe, ku po e qes tash fjalën? Duke iu kthyer Vetëvendosjes dhe debatit të mbrëmshëm, është evidente një gjë:

Dardan Molliqaj nuk ka ndryshuar! Ai i tillë ka qenë edhe te partia që ishte dikur, te Vetëvendosja!

Dardan Molliqaj është shkolluar te Albin Kurti. Pra, te partia që dikur e vandalizonte shoqërinë dhe shtetin tonë. Me apo pa të drejtë, nuk po hyjmë në detaje.

E, kush ka ndryshuar në këtë rast? Ka ndryshuar Albin Kurti! Ai tash është moderuar si Hashim Thaçi kur e akuzonte Ibrahim Rugovën.

Pse? Sepse Albin Kurti tash po e lakmon pushtetin dhe kolltukun! Ai e ka mësuar grupin e Dardan Molliqajt dhe të Shpend Ahmetit të demonstrojnë dhunshëm dhe kurrë nuk janë distancuar prej veprimeve të tyre të dhunshme, që po ua numërojnë sot nëpër debate!

Kurrë nuk është distancuar Albin Kurti nga sjellja e Molliqajt as kur e ka nxjerrë ai me dhunë nga vetura qytetarin afër sheshit “Skënderbeu”, e as kur ka shkaktuar dhunë tjetër Dardan Molliqaj!

E tash, Vetëvendosja i akuzon për veprimet që ka bërë kjo parti në rrugët e Prishtinës, sikur të mos ketë qenë Molliqaj anëtar i partisë së Albin Kurtit!

E, tash është e turpshme, sepse kur prishen jaranët mes vete, gjërat e kohës së jaranisë nuk duhet të nxirren në fushë dhe duhet të ruhen parimet!

Albin Kurti, me siguri, i sheh në ekran debatet konfrontuese të ish-anëtarëve të vet, të cilët e kanë legjitimuar atë parti, duke e shtrirë në terren, e sot duke u grindur, për shembull, me Haki Abazin e sapoardhur, duke e akuzuar Dardan Molliqajn për veprime që kanë qenë koncepte politike të Vetëvendosjes, e prej të cilave kurrë nuk është distancuar, por që sot i përdor kundër tyre për ta ngre gishtin kërcënues se ti je ai që ke bërë këtë e atë…

Pra, nuk ka ndryshuar Dardan Molliqaj, por ka ndryshuar Albin Kurti, duke u bërë një Hashim Thaç i butë, sepse tash synon pushtetin. E, pushteti në Kosovë nuk merret pa servilitet me ndërkombëtarët.

Nëse krahasohet Albin Kurti i tashëm me të dikurshmin, shihen dy Albina. Njëri shumë i egër, e tjetri shumë i butë!

Sidoqoftë, Vetëvendosja duhet të jetë e përmbajtur në raport me ish-anëtarët e vet për shumë arsye:

Molliqaj, me siguri, shumë më mirë e njeh ish-partinë e tij sesa cilido që vjen sot aty.

Albin Kurti, nëse vjen në pushtet, duhet ta ruajë falënderimin kryesor për ish-kolegët e tij, në mesin e të cilëve i mirë apo i keq ishte edhe Dardan Molliqaj, të cilin e përfolin si agjent të PDK-së, e që deshi ta shkatërronte Vetëvendosjen!

Sepse, dezertorët e Vetëvendosjes nuk janë prishur mes vete për politikë, por për para, ashtu siç ka ndodhur në të gjitha partitë tjera…

Pra, sa kanë interes, punojnë bashkë, e kur u ndalet interesi, dezertojnë nga partia amë, për të synuar paranë në një parti tjetër.

Andaj, PSD-istët e sotëm kurrë nuk kanë qenë PDK! Por, kanë qenë të Vetëvendosjes. Prandaj, radikalisht edhe sot elementet e tyre sillen njëjtë si në Vetëvendosjen e dikurshme, kur bumbullonin si në qytet, ashtu edhe në debate e në parlament… Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË