Njëzet vjet më parë, pikërisht më 16 prill, ra heroikisht komandanti i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjenerali Shkëlzen Haradinaj, komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit, si dhe tre eprorët e lartë të Brigadës heroike 131 “Jusuf Gërvalla”: Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, në betejën e Maznikut, shkruan “Kosovarja”.

Shkëlzen Haradinaj u lind më 25 mars 1970 në Gllogjan dhe konsiderohet si njëri ndër figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sinonim i shumë betejave të Dukagjinit.

Rënia e Shkëlzenit, që kishte bërë gjashtë vjet luftë pa kompromis, sipas bashkëluftëtarëve, ishte një humbje e madhe për UÇK-në, familjen dhe mbarë popullin shqiptar.

Vendosmërinë për mbrojtjen e civilëve dhe luftën deri në dy-tri metra në afërsi, e kanë përshkruar bashkëluftëtarët e tij, të cilët thonë se Shkëlzeni me shokë arriti disa herë edhe bombat t’ia kthejë armikut, andej nga kishin ardhur.

Ai në asnjë moment nuk u nda nga mbrojtja e atyre grave, fëmijëve e pleqve dhe së bashku me shokët e vet ra në altarin e lirisë, për të mos vdekur kurrë.

 

Ndihmës-komandanti për logjistikë në Zonën Operative të Dukagjinit, Mustafë Selmanaj, jep detaje për qëndresën e Shkëlzenit.

Ai kujton edhe betejat e para në Baballoq, ku qe plagosur Shkëlzeni.

“Ka pas një plagë shumë të madhe, që nuk e ka besuar askush që mund ta tejkalojë atë. Ka qenë i plagosur në nofull. Mjete mjekësore s’kishim. Më kujtohet ka ardhur në ndihmë Shyqri Nema dhe e kemi bë një operacion klasik në dysheme.

As rrymë nuk ka pasur, por kemi punuar me bateri. Mirëpo, ka qenë morali i fortë i Shkëlzenit gjatë operacionit. Më thoshte: “Mustafë, fshija djersët doktorit!”.
Shërimi ka zgjatur do ditë.

Shërimi është dashur të zgjat tre muaj, që t’i hiqen telat e nofullës. Por, Shkëlzeni pas 15 ditësh më ka thanë – këputmi telat dhe kam filluar me ia këput telat pa qenë mjek kurrënjëherë”.

Kurse, Daut Haradinaj, duke u ndalur te beteja “Malet e Maznikut”, thotë se 16 prilli ka qenë dita më goditëse për UÇK-në dhe familjen.

“Data e 16 prillit ka qenë njëra prej ditëve, ndoshta, më goditëse për UÇK-në, po edhe për familjen tonë, për shkak se ne e humbëm Shkëlzenin.

Por, gjithmonë kur e kemi parasysh momentin e rënies së tij, është një përparësi dhe një lehtësim për shkak se e dimë se falë Shkëlzenit dhe luftëtarëve tjerë, Fatmirit, Hasimit, Luanit, Agimit mund të them se disa qindra civilë, që ishin strehuar në Malet e Luboqakut, sot janë gjallë.

 

Por, në të njëjtën kohë, edhe Serbia ka marrë mësim të mirë që tash e tutje nuk ka me mujt me depërtuar në popullatë.

Po, edhe nga ai moment, e edhe nga ai pozicion prej 16 prillit e tutje, më Serbia nuk ka mujt me i thye pozicionet e luftës në Rajonin e Dukagjinit”, ka thënë ai.

Pas rënies, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, për merita të veçanta të treguara në luftë, ia ndau gradën gjeneral kolonel i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkëlzen Haradinaj është dekoruar me urdhrin “Hero i Kombit”.

Emrin e heroit Shkëlzen Haradinaj sot e mbajnë sheshet e rrugët anekënd Kosovës e Shqipërisë. Në qendër të Pejës është ngritur busti i heroit, ku edhe sheshi mban emrin e tij.

Shkëlzen Haradinaj është vëllai i dëshmorit të UÇK-së Luan Haradinaj, i liderit të AAK-së Ramush Haradinaj, kryeministër aktual i Kosovës, si dhe i Daut Haradinajt, deputetit të Kuvendit të Kosovës. /Kosovarja/.

MUND TË JU PËLQEJNË