Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga afërsia e zyreve të dy krerëve shtetërorë, Thaçit e Kurtit, që mbrëmë flisnin me njëri-tjetrin për “mejdan”, u ka thënë “hajdeni, këtu më gjeni”.
Përplasjet mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe Presidentit Hashim Thaçi, kane arritur në një nivel tjetër, kur Presidenti quajti Vetëvendosjen ‘ndërmarrje kriminale’ dhe ftoi zv.ministrin e punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, t’i shkojë në shtëpi e ta marrë me vete edhe shefin e tij, kryeministrin. Kurti më pas e ftoi Thaçin për përballje, jo në shtëpi, por në studio televizive. Me krejt këtë ka ironizuar Shpend Ahmeti.
Ahmeti, përmes një videoje, u ka kërkuar krerëve të shtetit të shkojnë ta gjejnë atë, të marrin edhe njerëz të tjerë me vete, e të ndihmojnë qytetarët.
“Gjendëm saktësisht në mes të Qeverisë dhe Presidencën. Distanca e njëjtë. Vec desha t’ju them këtu jam, duke ju pritur jam. Merreni kë doni, këtu me gjeni. Merrni më shumë njerëz, e hajdeni t’i shpërndajmë disa ndihma, pako ushqimore, për ata që kanë nevojë. Lini këto sende, e më mirë t’i ndihmojmë qytetarët deri të kalojë pandemia. Këtu më keni”, ka thënë kryetari i Prishtinës.
Presidenti Thaçi në një lidhje direkte në një studio televizive i ka kërkuar ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ta marrë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, e t’i shkojnë në shtëpi.
Kurti më pas i është kundërpërgjigjur, duke e ftuar presidentin që përballjen ta kenë një studio televizive.
Krejt kjo nisi kur Sveçla në një konferencë për media të mërkurën tha se nëse presidenti Thaçi e ka futur në territorin e Kosovës deputetin Behgjet Pacollin fshehtas, për t’u ikur masave të ndërmarra nga Qeveria për parandalimin e pandemisë, atëherë edhe Thaçi do t’i nënshtrohet karantinimit ose vetizolimit.
Sonte në Interaktiv!#rriNshpi
— Shpend Ahmeti (@ShpendA) April 29, 2020