Shteti dhe shoqëria civile nuk janë gjithnjë në të njëjtën rrugë. Pse?, shkruan “Kosovarja”.
Para lufte ishim shoqëri konservatore. Mbaroi lufta dhe ata që e erdhën në krye të shtetit, e devijuan shoqërinë, duke importuar ligje mbi jetën, si malli kinez në të cilin dominon kultura kineze, që nuk kanë lidhje me shqiptarët.
Importuan ligje për avancimin e të drejtave dhe lirive të grave, sepse ashtu u konvenonte ndërkombëtarëve dhe shoqatave të grave, duke ligjëruar se si duhet gratë ta shijojnë lirinë dhe të drejtën e patjetërsueshme.
Dhe, duke dëgjuar ligjërata e duke shikuar seriale përditë, gratë u qartën dhe tani jemi te pika kritike ku gruaja e akuzon burrin për dhunim pas 20 vjet martesë!
A ka kjo logjikë? Me siguri, jo. Pakkush beson që një çift, e që ka jetuar bashkë 20 vjet, kanë ardhur te dhunimi! Kjo nuk pi ujë, thotë populli.
Shteti e varfëroi popullin!
Familjet kosovare i ka kapluar skamja dhe për ta fituar bukën e gojës detyrohen ta qojnë në punë gruan, vajzën, e që bien pre e abuzimeve, në fillim të vullnetshme e më pas puna kthehet në incident e tragjedi të degradimit moral.
Shteti i Kosovës e ka varfëruar popullin. Një territor me kufij të caktuar dhe me të gjitha të mirat materiale brenda gjeografisë së vet, me gjithë këtë varfëri, vetëm te ne e gjen!
Kosova ka ari, argjend, zink, hekur, qymyr, ujë dhe resurse të tjera të jashtëzakonshme të pasurisë, ndërkaq është e varfër!
Një minator i “Trepçës”, në një intervistë për Revistën tonë “Kosovarja”, pat thënë: “Kosova fle mbi ari, kurse është e varfër!”.
Shteti nuk ka krijuar vende të reja të mjaftueshme pune qe 20 vjet paslufte, e, në anën tjetër, është bërë shtet burokratik dhe i të varfërve.
Sepse, në Kosovë, për t’u punësuar diku duhet dhënë ryshfet! Madje të majmë…
Pra, Kosova është vend ku çdo gjë është bërë biznes: po pate nevojë mund të blesh edhe diplomë fakulteti!
Kosova është bërë vend ku e kërcënon me jetë njeriu-njeriun dhe dënohet me dy mijë euro!
Kosova është bërë vend ku vidhen milionat e shtetit dhe i konfiskohen tri vetura!
Dhe, çka duhet të ndodhë tjetër për t’u bindur se shteti e ka prishur jetën e qytetarëve?! Shteti na i ka prishur edhe familjet, na e ka prishur fenë, na e ka prishur lumturinë, dashurinë ndaj njëri-tjetrit…
Keq, a? Safet Krivaça /Kosovarja/