Indonezia, shteti me më së shumti myslimanë në botë, e ka ndaluar përkohësisht udhëtimin brenda vendit përmes transportit tokësor, ajror dhe ujor si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Ky vendim u mor pikërisht në fillimin e muajit të Ramazanit, kur besimtarët myslimanë tradicionalisht i vizitojnë të afërmit për të bërë iftar së bashku.
Në Indonezi jetojnë rreth 229 milionë myslimanë. Dhjetëra milionë prej tyre udhëtojnë nga vendet e punës në vendlindje për ta shënuar fundin e Ramazanit bashkë me familje në një ceremoni tradicionale, që quhet “mudik”.
Megjithatë, ky shtet është duke u përballur me rritje të shpejtë të rasteve të koronavirusit dhe ka shqetësime se lëvizja masive e popullsisë për Fitër Bajram do të shkaktonte përhapje edhe më të madhe të sëmundjes.
Në fazën e parë të përhapjes, Indonezia kishte pak raste të të infektuarve deri në fillim të marsit. Megjithatë, vendi tash është i dyti me më së shumti raste në Azinë Juglindore, pas Singaporit.
Autoritetet i kanë ndaluar hyrjet dhe daljet e veturave dhe motoçikletave private nga qytetet kryesore që njihen si zona të kuqe të përhapjes së virusit, shkruan “CNN”.