Rexhë Hysën Berisha në Gjermani kishte punuar me një grup oficerësh amerikanë të CIA-së, për zbarkim në Shqipëri e përmbysje të Enver Hoxhës.

Ndërroi jetë më 22 shtator 2014, në vendlindje, në Novosellë të Pejës. Shteti amerikan, pas 50 vjetësh, i solli dekoratën e luftës dhe 35 mijë dollarë, shkruan “Kosovarja”.

Më 17 dhjetor 2014, Samiu, i biri i Rexhë Hysen Berishës, nga Novosella e Pejës, priste ekipin e revistës “Kosovarja” në shtëpinë e tij modeste, me një oborr ngjitur me fushën e gjelbër dhjetëhektarësh të fshatit.

Shtëpinë e dikurshme ia kishin djegur në vitin 1999 forcat serbe, por e kishte rindërtuar pas lufte me rastin e investimeve që i erdhën nga një burim financiar i papritur nga SHBA-ja.

Aso kohe pesë vetë me uniforma amerikane e kishin kërkuar Rexhë Berishën, i cili edhe vetë kishte menduar se kontributi i tij dhënë dikur Amerikës tashmë veç ishte harruar.

Pse kishin ardhur ushtarët me uniformë nga SHBA-ja ta kërkonin në Novosellë plakun e harruar Rexhë Berishën, pas 50 vjetësh? Ata kishin ardhur me urdhrin e shtetit për ta nderuar me dekoratën e Agjencionit të Inteligjencës Qendrore (CIA), dekoratë që sot gjendet në shtëpinë e djalit të tij, Samiut.

Ndër të tjerash, amerikanët e kishin vënë në vend historinë e plakut, duke i dhuruar atij pllakën falënderuese të CIA-as dhe 35 mijë dollarë pagesë. Të dyja, pra, dekorata dhe ndihma në para, për Rexhë Berishën nuk ishin thjesht vetëm dhurata.

Për më shumë se kaq Rexhë Berisha, zyrtarisht u bë njeri domethënës, duke marrë epitetin e njeriut prestigjioz amerikan të agjenturës së shërbimit më të fortë të SHBA-së, pasi që ishte ushtruar për diversione elitare të përmbysjes së regjimeve komuniste.

Zyrtarisht ishte agjent anglo-amerikan, që kishte ateruar në Shqipëri për ta rrëzuar pushtetin e Enver Hoxhës dhe ishte ndër të paktët që kishte shpëtuar pa u kapur dhe ekzekutuar.
Kush ishte, në fakt, Rexhë Berisha i Novosellës së Pejës?

Si u largua nga Kosova dhe si arriti në Greqi, Itali e Gjermani?
Patrioti Rexhë Berisha u lind më 14 mars 1918, në fshatin Novosellë e Pejës. Fshati Novosellë, në emërtimin e pasluftës njihet me emrin Fierzë, ka dhënë atdhetarë të dalluar të kauzës kombëtare në luftë për çlirimin e Kosovës nga Serbia e Mali i Zi. Veçanërisht Mali i Zi ishte okupatori më i tmerrshëm që përmes malaziasve kishte prani fizike dhe shtetërore me aparatin më të dhunshëm çnjerëzor në rajon, kundër popullatës shqiptare të Pejës me rrethinë.

Rexhë Berisha kishte tre fëmijë, një vëlla e dy motra.
Më 6 qershor 1943 u inkuadrua në Batalionin për diversantë “SS Skënderbeu”. Me këtë batalion ai luftoi në shumë arena luftimesh kundër forcave çetnike në Mal të Zi, si në Plavë, Guci, Beranë e në vende të tjera.

Me shpresën se do të bashkoheshin trojet shqiptare, e veçmas Kosova me Shqipërinë, ai në fillim të karrierës atdhetare punoi në gardën e xhandarmërisë, duke bashkëpunuar me Italinë dhe Gjermaninë.

Një vit më vonë iu bashkua grupit prej 13 vetash, kryesisht të Ballit Kombëtar, nga fshati Novosellë dhe u ngjit në malet e Radavcit, duke u pozicionuar në shpellën mbi burimin e Drinit të Bardhë, e njohur si “Shpella e Bezdanit”, vend në kodrën gurore prej nga mund të vëzhgoheshin ushtarakisht fshatrat e rrafshit: Novosella, Jabllanica, Vitomirica, Radavci etj.

Në “Shpellën e Bezdanit”, ky grup, me mbështetjen e popullit, qëndroi një vit heroikisht. Në vitin 1945, pas një beteje me organet e shtetit, grupi i tij tashmë prej 50 luftëtarësh, mësyu largimin nga shpella dhe mori rrugën për në Greqi.

Grupi gjatë rrugës përjetoi humbje në njerëz, meqë pritë pas prite dhe luftë pas lufte u ndeshën me çetnikë e partizanë, ku shkak për humbje ishte edhe uria, mungesa e bukës.

Pas shumë sfidave të luftës Rexhë Hysen Berisha arriti në Greqi dhe prej aty në Itali, e më vonë depërtoi në Gjermani.

Me arritjen në Gjermani, Rexhë Hysen Berisha u fut në strategjinë për çlirimin e Shqipërisë nga regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës, përcaktim që arriti Shërbimi Sekret Britanik “M16”, që ishte kryesisht shërbim që dominohej nga Shërbimi Inteligjent Amerikan – CIA.

Rexhë Berisha ushtrohet për diversant
Duke treguar për shkathtësitë fizike të babait të vet në fazën e trajnimit për luftim në male, i biri i tij, Samiu thotë:

“Babai ishte pjesë e një programi të veçantë amerikano-britanik për luftime në male dhe luftime në kushte e rrethana të veçanta në terren rural, gjë që i përshtatej futjes së tij në Shqipëri, ku edhe duhej të gjente mbështetës për rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Ishte regjim që Perëndimi nuk e donte në Ballkan, sepse SHBA-të shtrinin ndikimin e tyre përballë Bashkimit Sovjetik. Në ato rrethana edhe ishte ushtruar babai im me oficerë amerikanë.

Babai nuk na ka folur shumë për këto probleme, ngase nuk dëshironte të na ngarkonte me frikë, sepse edhe ashtu ai ishte nën përcjelljen e UDB-ës dhe ishte marrë në pyetje dhjetëra herë për gjëra që u interesonin atyre. Është interesant fakti se kur shqiptarët e Kosovës e donin Enver Hoxhën, babai im e urrente atë pa masë, haptazi.

Rexha dhe grupi i tij i ishin nënshtruar një regjimi të disiplinuar të stërvitjeve dhe eprorët i kishin urdhëruar ata që pas zbarkimit në Shqipëri të mos shtinë në qytetarë dhe të ikin nga mundësia e konfrontimit apo të urrejtjes.

Grupi diversant përbëhej nga katër vetë: Rexhë Berisha, Halil Nerguti, Miftar Maloku dhe Ramadan Zejna, nga Kukësi. Desanti i grupit është kryer në mesin e muajit nëntor të vitit 1949.

Në atë kohë babai e dinte mirë anglishten dhe italishten, si dhe gjuhën greke. Nuk ishte vetëm grupi i babait që kishte zbarkuar i pari në Shqipëri, por kishin qenë edhe dy grupe të tjera që kishin shkuar para tij dhe që të dyja ishin zënë nga ushtarët shqiptarë dhe ishin pushkatuar.

Ky ishte sinjal i keq për grupin e Rexhë Berishës. Ishte sinjal se as ky me shokë nuk do dilte i gjallë prej atyre maleve, por këmbëngulësia e tyre kishte bërë që të mos zmbrapseshin nga qëllimi i tyre.

Shërbimi inteligjent shqiptar ndihmohej nga rusët dhe kjo kishte bërë që të kapeshin diversantët në Shqipëri. Babai kishte radiolidhje dhe armatim të duhur për luftë në male.

Rexhë Berisha kishte shpëtuar gjallë falë gabimit të pilotit, i cili e kishte lëshuar gabimisht me parashutë, pra në vendin jo të duhur. Kishin zbarkuar në malet mbi Tropojë, ndërkohë që shqiptarët dhe rusët prisnin grupin diversant aty ku edhe ishin rrëmbyer më parë diversantët tjerë, pra të dy grupeve të tjera.

Ky gabim i pilotit kishte dalë të jetë dhuratë që ata të shpëtonin gjallë.

Kim Filbi ishte agjent britanik, i cili kishte lidhje me Shqipërinë dhe i kishte bërë të gjitha spiunimet e aterimit të diversantëve mbi Shqipëri, e që kishin për qëllim përmbysjen e sistemit komunist të Enver Hoxhës.

Për dy vjet rresht, pra prej vitit 1949 e deri më 1951, grupi i Rexhë Berishës kishte bërë përpjekje t’i koordinonte punët me shqiptarë të Malësisë së Hasit, por nuk arrijnë të gjejnë ithtarë për bashkëpunim, ani pse Malësia e Tropojës njihej si vend antikomunist.

Meqë pushteti forcohej në Tiranë, suksesi i misioneve në grupe u bë i pamundur”, tregon i biri i Rexhë Berishës, Samiu.

Pilulat që të merrnin jetën…
12 diversantët që kishin zbarkuar para grupit të Rexhë Berishës në Shqipëri, kishin përfunduar të asgjësuar.

Ata, pasi kishin mbetur pa armatim dhe pasi kishin rënë në duart e forcave shqiptare, kishin përdorur pilulat që të merrnin jetën dhe kishin vdekur. Andaj, shteti nuk kishte mundur të merrte informata prej tyre…

Kështu, Rexhë Berisha me grupin e tij kishin jetuar dy vjet në malet e Hasit dhe më pas ishin drejtuar në drejtim të Kosovës.

Amerikanët u kishin propozuar të ktheheshin në Kosovë, në territorin e Jugosllavisë, pasi Jugosllavia kishte përcaktim kundër Shqipërisë së Enver Hoxhës.

Ata kishin kaluar në Prizren dhe me sugjerimin e një qytetari kishin shkuar në Çaçak të Serbisë, ku edhe qëndrojnë një vit, kinse si shtetas të Shqipërisë. Në Çaçak ai ishte prezantuar me emrin Jakup Zogu, banor i Tiranës, banesa numër 49.

Gjatë këtij qëndrimi në këtë qytet ai lidhet me qendrën e tyre dhe vendoset të ktheheshin në Shqipëri për të filluar misionin e tyre. Vlerësohej se misioni mund të ishte i suksesshëm, por u zbuluan nga forcat jugosllave dhe i mbajtën në burg një vit.

Duke ditur për situatën e grupit, CIA ndërhyn në sistemin e Jugosllavisë dhe ata lirohen nga burgu. Rexhë Berisha kthehet në Novosellë dhe fillon të bëjë jetë duke siguruar bukën nga puna në bujqësi.

Një periudhë të jetës së vet e kaloi në varfëri. Ai e përjetoi edhe luftën e vitit 1999, ku edhe iu dogj shtëpia tërësisht, si edhe shtëpitë tjera të fshatit Novosellë. Shpëtoi falë ndihmës së një malazezi, që ia mundësoi të kalojë në male në drejtim të Rozhajës.

Amerikanët nuk e harruan agjentin e tyre…
Por, amerikanët ishin ata që nuk e harruan. Paslufte i erdhën në vizitë një grup zyrtarësh shtetëror të SHBA-së, duke i dhënë dekoratën e CIA-s, por edhe 35 mijë dollarë, e që i shfrytëzoi në rindërtimin e shtëpisë”, thotë Samiu.

Rexhë Berisha, agjenti i CIA-s, vdiq më 22 shtator 2014, në vendlindje, në Novosellë të Pejës. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË