Syla, burrë rreth të tetëdhjetave, të dielën që shkoi, shikonte oborrin e tij të sapoveshur me petkun e pranverës. Atij i kujtohet pranvera për të keq. Në Vërmicë, në kufi, paramilitarët ia morën njërin djalë, duke e ndarë nga tjetri gjatë kohës së dëbimit për në Shqipëri më 1999 dhe nuk e gjeti më kurrë, shkruan “Kosovarja”.

Në natën me vetëtimë e shi ndodhi e keqja!
“Edhe moti ishte i keq atë natë. Nuk mbaj mend natë me vetëtimë e shi më të madh”, kështu nis rrëfimin Syla, plaku i përvuajtur nga skamja dhe fati që mbeti pa njërin binjak në Vërmicë.

“Mos u përsëritët kurrë më ajo natë! E kaluam Prizrenin dhe u nisëm për në Vërmicë. Vetëtinte aq shumë sa rruga dukej sikur të ishte me drita. E ndjeja vdekjen në çdo hap. Kisha fikë se do ndodhte diçka e keqe.

Në një moment u ndal kolona. Paramilitarët që ndodheshin buzë rrugës u afruan afër traktorit me të cilin udhëtoja unë me familje, por edhe të tjerë që hipnin rrugës.

Njërin binjak timin e kapën për flokësh dhe i thanë: “Ti ma ke vra vëllanë me UÇK-në!”.
“Jo bre, djemtë e mi nuk kanë qenë në UÇK se ende janë të rinj”, u thashë.

Njëri prej tyre ma vuri thikën në fyt dhe më tha:
“Ne dimë me të thënë edhe ty, por këtë e kemi parë me sytë tanë, duke e vrarë vëllanë e këtij që ka ardhur nga Serbia për ta mbrojtur Vërmicën!”.

Djali rrudhi krahët dhe fjalë nga goja nuk nxirrte. E tërhoqën zvarrë për flokësh dhe e zbritën në tokë. Edhe unë zbrita nga traktori dhe nisa të bërtisja…

Tjetri binjak, që mbeti në traktor, nuk lëvizte. U zbehë dhe sytë iu mbushën me lot… Në ato momente gruaja e mbuloi me batanije që paramilitarët tjerë të mos e shihnin.

I luta dhe u thashë më merrni mua në vend të djalit, por lutjet e mia nuk bënin punë…

Djalin e hipën në kamionin që ndodhej jo larg nesh, kurse mua më shpunë me thikë në këmbë dhe më thanë o të vazhdoja rrugën o të kthehem në Prizren”.

Pse m’u kujtuan fjalët e këngës së Smail Hysenit?
“Gjatë rrugës nuk shihja ta ngisja traktorin sa nga lotët, por edhe nga shiu që binte rrëke. Dikur vërejta se këmba më ishte bërë akull. Kur e preka me dorë, dora m’u lag nga gjaku.

Në çast më ranë në mend fjalët e këngës “Smail Hyseni në vranç të zi, po i shkon gjaku për zinxhi!”.

Dhe, prej asaj dite, edhe pse tash po bëhen 20 vjet, djali im i vogël nuk u gjet kurrë!

Prandaj, pranverat për mua janë të zymta dhe ma kujtojnë dhimbjen time të madhe”, tha xha Syla, plaku i përvuajtur. S. M. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË