Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, Edita Tahiri, ka deklaruar se është kontaktuar nga zyra e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Në emisionin “Debat Plus”, Tahiri ka thënë se për të marrë detyra në dialog ka kërkuar që të jetë kryenegociatore dhe zëvendëskryeministre.
Por, këto dy kërkesa të shtruara si kushte ndaj kryeministrit Albin Kurti, nuk u plotësuan.
“Më kanë kontaktuar dikush nga zyra e Bislimit… Bislimit i thashë nuk e jap autorësinë. Indirekt Kurti ma ka dërguar dikë. Për Kosovën jam çdoherë e gatshme. I thashë po, kryenegociatore, zëvendëskryeministre, nëse është i gatshëm për këto dyja e marr dialogun. Dialogu është punë e rëndë që e kam kaluar unë dhe të tjerët, prandaj oferta për mua nuk ka qenë një gëzim, ia dhashë kushtet nuk pati plotësim. Jam lidere historike, nuk marr detyra në dialog me qenë me armikun e mos të kem pushtet… Kjo është arsyeja”, tha ajo.
Po ashtu, Tahiri ka treguar se Washingtoni kishte kërkuar që ajo të ishte kryenegociatore.
Ish-ambasadorit amerikan, Dell, në atë kohë, Tahiri ia kishte shpalosur tri vija të kuqe për të cilat nuk pranonte që të diskutohej në dialog me Serbinë.
“Ish-ambasadori amerikan Dell më ka thënë se Washingtoni po kërkon që ti të bëhesh kryenegociatore, sepse ke përvojë dhe ne po kemi besim që përmes teje që qëllimet të arrihen. I thashë i kam tri vija të kuqe menjëherë… Vija e parë e kuqe është që ju të jeni në tavolinë, nuk i besoj BE-së, e dyta për minoritetin serb asgjë më shumë se çka ka dhënë Ahtisari dhe për statusin e Kosovës nuk flitet, pavarësia është mbyllur, këto kanë qenë tri vijat e kuqe”, shtoi ajo.