Veriu i Kosovës pashmangshmërisht duhet legjitimuar për përkatësinë e banorëve ekzistues, shkruan “Kosovarja”.

Kush, faktikisht, jeton në Veriun e Kosovës? Ç’dokumentacion dhe përkatësi kanë?

Këto duhet verifikuar detajisht, në mënyrë që të dihet saktësisht a po kolonizohet territori i Republikës së Kosovës.

Ndryshimet etniko-demografike në Bosnjë e Hercegovinë, sipas shumë raporteve mediatike që janë publikuar pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, më vitin 1995, flasin me fakte se shumë serbë nga territoret etnike kroato-myslimane kanë shkuar në Vojvodinë, e prej atje kanë ardhur në veriun e Kosovës!

Gjithashtu, pas ofensivës kroate “Stuhia”, është folur dhe raportuar se serbët e ish -“Krainës”, që janë shpërngulur në Vojvodinë, tash po lëvizin në veriun e Kosovës.

Këto të dhëna nuk janë për injorim, kur dihet se historia po përsëritet sa i përket kolonizimit të Kosovës.

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, më 1945, Kosova ishte kolonizuar nga serbo-malazezët, duke bërë vendbanime të reja.

Kjo histori po përsëritet edhe tash, 20 vjet pas luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Por, për të legjitimuar se kush jeton në veriun e Kosovës duhet të ndihmojë edhe NATO.

Dhe, derisa veriu nuk vendoset nën legjitmitet statistikor se kush jeton e banon në këtë territor, ai do të mbetet zonë e minuar nga Qeveria e Serbisë, të cilëve u konvenon një klan kriminal, e që i shërben Beogradit për kriminalitet të organizuar.

Në këtë mënyrë, Beogradi zyrtar i përdor kriminelët për ekonomi dhe patriotizëm, ashtu qysh i duhet atij.

Kur i konvenon të vret liderë dhe njerëz, e bën këtë në mënyrë shtetërore. E, kur i duhet të sigurojë buxhet nga kriminaliteti ekonomik, e bën me të njëjtit kriminelë.

Anarkia në veriun e Kosovës i konvenon Serbisë për ta mbajtur nën tension gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Bashkësia ndërkombëtare dhe shteti i Kosovës e mbajnë përgjegjësinë dhe fajësinë pse nuk janë koordinuar deri më tani ta legjitimojnë strukturën e banushmërisë, në mënyrë që të dihet se kush, çka bën dhe me çka merret në këtë pjesë të Kosovës? Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË