Që kur hyre ti në jetën time, kam pasur veç dhimbje dhe lot. Ishe mallkimi im më i madh, ishe ferri që unë përjetova në këtë botë. Shumë njerëz më kishin thënë që me ty do të kisha veç dhimbje, por unë nuk u besova, mendova se të gjitha ishin fjalë xhelozie dhe inati, thënë nga njerëz që nuk donin të na shikonin bashkë. Por sa gabim bëra që nuk u besova, shkruan “Kosovarja”.

Tani, përveç dhimbjes që kam në zemër që më kujton vuajtjet e tua, janë edhe shenjat e cigareve që kam në trup dhe që me sjellin në mendje gjithë makthin që kam kaluar me ty.

Katër vite të jetës sime të shkatërruar, katër vite kur humba gëzimin, buzëqeshjen dhe gjithçka të bukur dhuron koha e adoleshencës.

Dhe tani, tani ti buzëqesh me atë tjetrën në krah, ndërsa unë vazhdoj të mbledh copat që thërrmove ti…
Më vjen keq që nuk arrij as të jem e lumtur që ti dole nga jeta ime, edhe pse shumë vonë. Nuk mund të jem e lumtur me jetën time të shkatërruar, me vitet e çuara dëm, as me shenjat e dhimbjes në shpirt. Më beso, nuk më vjen aspak keq kur të shoh me atë tjetrën, nuk ndiej aspak xhelozi.

Mjerë tjetra çka e pret! Ti nuk je njeri!
E vetmja gjë që ndiej është keqardhje për atë tjetrën, që do të ketë fatin tim të zi, sepse ti nuk do të ndryshosh kurrë.

Mund të shtiresh e ta bësh atë tjetrën të besojë se ti nuk je ashtu siç thonë (të njëjtën gjë e bëre edhe me mua), por një ditë ajo do ta kuptojë se çfarë kafshe ka në krah, sepse ti kurrsesi nuk mund të quhesh njeri.

Ndoshta askush nuk mund ta kuptojë mllefin tim, pa e njohur historinë që kam kaluar me këtë njeri.

Ndoshta nuk mjafton as që t’u them se sot jam vetëm 23 vjeçe dhe e kam shpirtin të mbushur plot dhimbje për shkak të këtij njeriu.

Unë nuk jam e dërrmuar, siç mund të jenë shumë moshatare të miat, për shkak të një dashurie të humbur apo një zhgënjimi nga një mashkull. Unë jam e shkatërruar për shkak të dhunës fizike e psikologjike që është ushtruar rregullisht mbi mua për katër vite me radhë.

U njoha me këtë njeri qëkur isha 19 vjeçe. Ai ishte një djalë që kishte çdo gjë që kërkonte nga jeta. Ishte në gjendje shumë të mirë ekonomike dhe dukej që jetonte në mirëqenie.

Nuk dua ta mohoj që më tërhoqën shumë gjithë gjërat që ai më ofronte, të cilat nuk kisha pasur mundësi t’i prekja më parë. Por, nuk ishte kjo arsyeja kryesore që u lidha me të.

Mendoja se jetoja si në përrallë…
I pranova, sepse e dashurova çmendurisht me të mirat e të këqijat që ia vija re në atë kohë. Por, të them të drejtën, për asnjë çast nuk më shkoi ndër mend se ai mund të ishte tmerrësisht i keq, ashtu siç e tregoi në vitet që do të pasonin.

Në fillim tregohej i sjellshëm me mua e më trajtonte si mos më mirë.

Unë isha e mrekulluar nga përkujdesja që ky mashkull tregonte ndaj meje. Më dukej vetja si në një përrallë, që sapo kishte filluar dhe nuk do të mbaronte kurrë.

Por, përralla ishte vetëm një fasadë që do të zhdukej shumë shpejt.

Ditët e mia të bukura me të do të zgjasin jo më shumë se nja gjashtë muaj, atëherë kur filloi të tregonte edhe shenjat e para të natyrës së tij të vërtetë.

Shumë shpejt do të kuptoja se sjellja e tij e deriatëhershme kishte qenë vetëm një shtirje dhe asgjë më shumë. Ai nuk kishte asnjë të mirë nga ato që unë mendoja.

Ishte një njeri pa vlera, i paedukatë, arrogant, që nuk dinte si të trajtonte një femër. Edhe kur filloi të shfaqte shenjat e para të karakterit të tij, unë mendova se ishte vetëm një fazë kalimtare dhe nuk doja të ndahesha menjëherë prej tij.

Qëkur e njoha në fillim, njerëzit më flisnin për të. Thoshin se merrej me punë të pista dhe ishte njeri që nuk i zihej besë.

Më kishin thënë që të mos ngatërrohesha me të, sepse ishte njeri pa nivel dhe ua kishte shkatërruar jetën nja dy vajzave, por unë nuk u besova këtyre fjalëve.

Madje, i thashë edhe atij se çfarë kisha dëgjuar. Ai qeshte dhe më thoshte të mos merresha me thashetheme e të mos u besoja fjalëve të atyre që nuk ma donin të mirën.

Pas një kohe ai filloi të tregohej shumë xheloz. Nxehej nëse më shikonte me ndonjë shokë klase dhe më bënte namin, saqë edhe vetë fillova të kisha merak se mos ai më shikonte. Prej këtu filloi edhe dhuna psikologjike…

Ai nuk donte t’ia dinte. Ishte urdhër i prerë që të mos flisja me asnjë mashkull dhe kur ecja vetëm në rrugë të mos i ngrija sytë, në të kundërt më priste dhuna psikologjike.

Pas kësaj më ndaloi të dilja nga shtëpia pa të. Nuk duhej të dilja as me prindërit, sipas tij. E kisha të pashmangshme një gjë të tillë, sepse prindërit e mi nuk e dinin për lidhjen time me të dhe unë nuk kisha çfarë t’u thosha.

Por, edhe sikur ata ta dinin që unë kisha një lidhje, nuk do ta kuptonin kurrë pse duhej të më ndalonte i dashuri që të dilja me prindërit apo qoftë edhe me shoqërinë time.

Si u izolova?
U bëra një njeri i izoluar. Kur e pashë se situata po bëhej gjithmonë e më e tensionuar, e kuptova se asgjë nuk do të përmirësohej.

Kishim një vit lidhje kur i kërkova të ndaheshim. Atëherë ai u tërbua krejtësisht. Mendonte se unë kisha një tjetër, që doja të ndahesha prej tij. E, kjo nuk ishte e vërtetë, por ai nuk hiqte dorë nga e tija.

Donte që unë ta pranoja që kisha një lidhje tjetër dhe t’i tregoja se kush ishte ai tjetri. Por, nuk kisha çfarë t’i thosha…

Dhe, nuk më lejonte të ndahesha prej tij, e vetmja gjë që mund të bëja ishte të sillesha ashtu siç donte ai dhe atëherë mund të merrja ndonjë fjalë të ëmbël prej tij.

Ndihesha e pashpresë për të pasur një jetë më të mirë. Fillova të përpiqesha që të mos e nxehja, sepse të gjitha pasojat do të binin mbi mua.

Megjithatë, asnjëherë lidhja jonë nuk ishte e qetë, sepse ai e gjente gjithmonë një arsye për t’më keqtrajtuar edhe atëherë kur nuk kishte arsye.

Kur fillova studimet ishte frikë se mos njihja ndonjë djalë tjetër dhe e tradhtoja. Ai nuk pranonte ndonjëherë që kishte frikë apo i druhej diçkaje.

Por, sa herë që ushtronte dhunë unë e dija se e bënte ngaqë nuk kishte mënyrë tjetër për të më mbajtur, përveçse duke më bërë presion, e duke më shtirë frikën.

Filloi t’më merrte me vete kur dilte me shokët. Atje e kuptova edhe më mirë se në çfarë ambienti të fëlliqur e kishte vendin i dashuri im.

Rrinte me njerëz pa nivel, të pashkolluar, rrugaçë. Nuk më pëlqente të shoqërohesha me njerëz të tillë dhe sa herë që mundesha i shmangesha.

Gjithmonë mendjen e kisha te ndarja!
Në 4 vite lidhje nuk kam dëshiruar asnjë çast që ta mbyllja jetën me këtë njeri. Gjithmonë kam shpresuar se një ditë do të ndahesha prej tij dhe do të filloja një jetë të re dhe, më në fund, ia arrita kësaj dite.

Ditën e ndarjes më ofendoi dhe më tha se nuk kisha më punë me të. Ai u lidh me një vajzë tjetër.

Fatmirësisht, vendosi t’më linte. Më mirë vonë sesa kurrë, por ama për mua është shumë e vështirë që të rifilloj një jetë të re…

Sepse, nuk di nga t’ia nis! Nuk kam asnjeri të afërt, nuk kam as miq, sepse gjatë këtyre katër viteve i kam larguar njerëzit nga vetja.

Mbi të gjitha, ndihem e shkatërruar shpirtërisht. Kam humbur 4 vite të rinisë sime, që nuk mund të rikuperohen më kurrë… V. /Kosovarja/

Loading...

MUND TË JU PËLQEJNË