Vala

Ngjarja për të cilën do flasim në vazhdim ka të bëjë me një ndodhi të vjetër, 330 vjet më parë. Legjenda për “(Tyrbja) e çikave-motra” në Gjakovë (1689), që gjendet në “Mëhallën e “Hadumit”, është mbi çdo legjendë, mbi çdo parashikim njerëzor, shkruan “Kosovarja”.

Është e njohur legjenda për “Vajzat e Sulit”, që u flijuan duke u hedhur nga një shkëmb për të shpëtuar nga çnderimi i ushtarëve turq.

Por, gjithmonë ka qenë dhe mbetet histori më vete edhe gama e “vajzave-motra” të familjes Bejtullahu nga Gjakova, që para më shumë se 330 vjetësh u bën kurban në themelet e truallit të tyre për të shpëtuar nga marrja e nderit.

Si ndodhi ngjarja?
Shqiptarët brez pas brezi u viktimizuan për atdhe. Në vitin 1689, në Gjakovë, vjen ushtria austriake, e cila një herë sillej mirë me popullin, por pastaj oficerët filluan të bënin kërdi mbi popullin e pafajshëm shqiptar.

Duket se në këtë kohë ndodhi edhe historia tashmë e njohur e gjashtë vajzave të Mehmet Efendiut, të cilat për të mos rënë në duart e ushtarëve austriakë, të cilët donin t’i dhunonin, flijuan vetveten, duke u përvëluar me ujin e valë të rrobave që po i lanin në oborr.

Varret tash gjenden në oborrin e kësaj shtëpie dhe janë bërë tyrbe, ku gjejnë shpëtim moral, shpirtëror dhe shëndetësor shumë njerëz që kanë besim në Zotin dhe efektin pozitiv të këtyre tyrbeve.

Janë shtatë varre (një i gjatë dhe një i vogël) mes tyre “banoret” e tyre janë flijuar bashkë për të njëjtin qëllim, prandaj efekti historik dhe fetar është i përbashkët.

“Tyrbja e çikave-motra” është e njohur në Gjakovë dhe më gjerë për efektet pozitive që bënte në jetën e njerëzve që i drejtoheshin.

“Tyrbja e çikave-motra” është e vjetër 330 vjet dhe varret janë nën mbrojtjen e muzeut të qytetit të Gjakovës.

Ç’rezistencë bënë 6 çikat-motra?
Nuk duhet të kërkojmë dëshmitarë për të treguar se kush jemi, si jemi dhe pse jemi. U desh të luftonim kundër çdo lloj politike që të mbetemi gjallë. Gjithë ata që bënë luftë me ne, fitoret i përzien me turp.

Turqit ishin dëbuar nga ushtria austriake në disa territore të Kosovës, e edhe në Gjakovë. Austriakët vetë i kishin zënë pozicionet këtu. Vëllai i Mehmet Efendiut ka kërkuar familjarisht ta lëshojnë shtëpinë dhe të ikin, sepse ushtarët austriakë vrisnin njerëz, duke dhunuar gra e vajza, e duke shkatërruar gjithçka që gjenin para vetes.

Mehmet Efendiu nuk kishte pranuar të ikte dhe me të gjashtë vajzat e rritura dhe të bukura kishte qëndruar në shtëpi.

Dhe, një ditë, ushtarët austriakë hynë në oborrin e tyre dhe papritmas u ndeshën me rezistencën e gjashtë motrave, që rastësisht lanin rroba në oborr. Ushtarët, të tërhequr nga bukuria përrallore e vajzave motra, vrapuan për t’i kapur ato që t’i merrnin me vete apo t’i dhunonin. Vajzat luftuan duke i gjuajtur ushtarët me ujë valë.

Në ndihmë u erdhi edhe babai i tyre, Mehmet Efendiu. Vajzat i mbytën disa ushtarë, por ata ishin shumë dhe vajzat, në pamundësi për të shpëtuar, u vetëmbytën.

Por, disa të dhëna thonë se ushtarët austriakë, në pamundësi për t’i kapur vajzat, i vranë ato e edhe babanë e tyre. I varrosën në oborrin e shtëpisë ku gjendën edhe sot varret e tyre.

330 vjet dhe asgjë nuk ka ndryshuar!
Prandaj, “Tyrbja e Çikave” është përmendore historike që dëshmon periudha të rënda nëpër të cilat kanë kaluar femrat shqiptare, nën lakminë e shfrenuar të armiqve të ndryshëm.

Që nga ajo kohë, pra 330 vjet më parë, asgjë nuk ka ndryshuar në atë vend, as pamja, as pemët, andaj gjithçka mbeti nën ndikimin e natyrës.

Gjithmonë te këto varre kanë ardhur njerëz për t’u lutur për shëndet, për ruajtjen e familjes, mbrojtjen e pasurisë, ecjes mbarë të biznesit, për fëmijët që vonojnë së foluri, gratë që nuk kanë fëmijë etj. Këtë tyrbe shumë njerëz e shohin ëndërr dhe, pastaj, vijnë dhe ndezin qiri për shpirtin e “çikave-motra”.

A është “Tyrbja e çikave-motra” e shenjtë?
“Para shumë vitesh, kur u martua xhaxhai i vjehrrit tim, dasmorët këndojnë me def afër varreve dhe vallëzojnë. Në atë moment nga një pemë e vjetër më shumë se 150-vjeçare dalin gjarpinj dhe bolla! Dasmorët ikin.

Andaj, kurrë më nuk është lejuar të bëhet muzikë afër varreve. Një vajzë shkoi bashkë me të ëmën në një tyrbe në Shkup për të gjetur “ilaç” për t’u martuar. Natën i shfaqën në ëndërr çikat e kësaj tyrbeje dhe i thonë: “Ti na harrove neve e shkove aq larg për ndihmë!”.

Meqenëse ngjarja e çikave-motra ka ndodhur të mërkurën, në Gjakovë në të kaluarën nuk pastronte rroba asnjë grua këtë ditë, madje edhe tash shumë shtëpi e respektojnë këtë traditë”, pat rrëfyer para do kohësh, në mënyrë të çiltër, bashkëbiseduesja jonë, Mandushe Bejtullahu, mësuese e pensionuar, në kohën kur e patëm zhvilluar bisedën.

Në luftë na thanë: Mos keni frikë, ne ju mbrojmë!
Por, dashtë e pa dashtë biseda me të aso kohe nuk përfundoi pa u lidhur edhe me temën e luftës.

“Qëndruam në shtëpi gjatë luftës. Edhe pse këtu, në Lagjen e “Hadumit”, në Gjakovë, ndodhën masakra të mëdha dhe shkatërrime të shtëpive, shtëpia jonë nuk u dëmtua e as familjarët tanë nuk pësuan gjë falë “Tyrbes së çikave”.

Pikërisht atyre ditëve vajzës sime (tash e ndjerë) iu kanë paraqitur në ëndërr vajzat e tyrbes dhe i kanë thënë: “Mos keni frikë se ju jeni të mbrojtur”, përfundon rrëfimin e saj, zonja e kësaj shtëpie, Mandushe Bejtullahu.

Përfundimi
“Tyrbja e çikave” është monument historik shtetëror… Por, hë për hë, atë vetëm në letër e “mbron dora” e Muzeut të qytetit të Gjakovës. S. Th. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË