Vjosa Osmani, nuk është përjashtuar nga LDK.
Asaj i janë hequr disa kompetenca nga pozitat që kishte në LDK dhe që mund të thuhet se ishin privilegje, përderisa zonja Osmani edhe më parë kishte konfrontime me partinë, disa prej të cilave dihen publikisht e disa prej të cilave janë mbajtur nën dry.
LDK-së i është derdhur qumështi me Vjosa Osmanin dhe me një grup pjesëtarësh të lartë të partisë, të cilët pasi morën do pozita nga partia u qetësuan, duke e lënë në baltë Vjosa Osmanin.
Në LDK, para zgjedhjeve në parti, kur shefi i saj Isa Mustafa ,kishte paralajmëruar se nuk do ta vazhdonte pozitën e të parit të partisë për shkaqe shëndetësore, dolën ambiciet personale të disa figurave që hapur e donin veten për kryetar partie.
Atëbotë kishte krizë në LDK dhe rivalët partiakë të LDK-së, e donin dhe paralajmëronin ndarjen e LDK-së.
Duke e parë gjendjen në parti dhe ambiciet e dikujt-dikujt aty, Isa Mustafa ia vuri vetes edhe një barrë mbi supe: Ta vazhdonte udhëheqjen e LDK-së.
Ky vendim e shmangu krizën në parti.
Megjithatë, Isa Mustafa me disa kundërshtime jo të pakta, e nominoi Vjosa Osmanin kandidate për kryeministre nga kjo parti dhe LDK- ja i dhuroi besimin zonjës Osmani.
Ndodhi fushata, fitoi sa fitoi LDK, duke dalë e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit, por zonja Osmani, filloi t’i ofrohet Albinit dhe parimeve të tij. Që nga ky moment, Vjosa Osmani, më nuk i ka shërbyer LDK-së e as që është parë duke i zbatuar qëndrimet e partisë së saj.
Ajo shkoi ta nënshkruante me Albin Kurtin mandatin e deputetes dhe për këtë skenë në LDK u patë çuar bukur shumë pluhur.
Vjosa Osmani e harroi LDK-në edhe në vazhdimësi zbatoi parimet e VV-së, duke i lidhur edhe vizitat nëpër Kosovë me Albin Kurtin.
Në fakt, këtu edhe nisën problemet e nënkryetares së LDK-së, atëherë dhe të organeve tjera të tjera në LDK dhe, Vjosa Osmani e nominuar nga VV për kryetare të Kuvendit të Kosovës, mbajti hapur krahun Albin Kurtit dhe hapur në disa raste , deklaroi vet se dihej botërisht që ajo ishte afër Kurtit me ide dhe qëndrime.
Si mjet të arsyetimit për të gjitha këto veprime anti LDK,Vjosa Osmani përdori në vazhdimësi sloganet se u kishte premtuar votuesve parime dhe se ato duheshin zbatuar, por ajo nuk e kuptoi se po i shkelte të gjitha parimet e LDK-së.
Ndërkohë, që Vjosa sillej kështu, kolegët e Vjosës me deklarata, asaj ia bënin akoma vendin që të kthehej në parti.
Përçarja e partnerëve qeverisës edhe më shumë e çoi Vjosa Osmanin kah Albin Kurti.
Vjosa Osmani, as në kohën e prishjes së koalicionit qeverisës, nuk iu ofrua LDK-së. Ajo madje edhe më shumë u betonua krah VV-së, të cilën tashmë hapur e përkrahte dhe më nuk ishte vetëm përkrahje verbale, por shumë zyrtare.
VV në parlament dhe në debate e prononcime, Vjosa Osmanin e përfolnin si anëtare të tyre, nga ana morale dhe vetëm e prisnin momentin se kur ajo do të anëtarësohej në Lëvizje.
Realisht,Vjosa e mohonte se ishte në VV, por puna e saj shihej prej aeroplani. Ajo kishte një plan dhe ai plan ishte që LDK-ja të përçahej dhe një krah i saj të ofrohej me VV-në në pushtetin e ardhshëm.
Këtu më s’kishte çka të fshihej aq sa nuk ka as sot. Gjërat tani dihet se cili ishte qëllimi Kurti-Osmani dhe sjellja prej kapadaillëkut e ish kryeministrit Kurti ndaj LDK-së , shkarkimi i ministrit Veliu dhe zëvendës kryeministrit Avdullah Hoti.
Kurti do të largonte të gjitha pengesat që ishin arrë e fortë ndaj tij, sepse ai synonte që edhe nëse binte qeveria e tij, përmes zonjës Osmani do ta përçante LDK-në, pastaj me pakicat dhe mbetjen që do të dilte nga LDK, do ta bënin qeverinë që do të kishte një sovranitet të paprekshëm në proceset qeverisëse.
Kështu të paktën duket ajo që ka kaluar nëpër një rrugë me plotë qëllime .
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, tani është këtu ku është: LDK ia ka marrur pozitat dhe privilegjet në parti, por nuk e ka përjashtuar nga partia siç e ka konfirmuar ajo.
Në fakt, Vjosa Osmani, mund të kthehej në parti së pari me një parakusht të pashkruar e ai është që ta ripërtërinte besueshmërinë në partinë ku i fitoi të gjitha privilegjet dhe të dëshmohet se ajo definitivisht nuk është me VV-në.
LDK ka vepruar me çdo logjikë të shëndoshë ndaj zonjës Osmani, madje e kanë kursyer aq shumë, sa kryetarja e Kuvendit duhet t’ia di për nder partisë që përdori sjellje shumë pragmatike , por nuk ishin krejt të qetë ndaj Vjosës.
Çka tani?
Do të bëjë , apo nuk do të bëjë parti të re Vjosa Osmani, ajo i përket asaj.
Por, ajo që shihet jashtë shtëpisë, lë të kuptohet se, Vjosa Osmani, tek tani e ka kuptuar se, e ardhmja e saj politike është vetëm në LDK. Që kjo të ndodh , duhet harruar të gjitha çka kanë ndodhur.
Dëmi i LDK-së është i madh nga ky ballafaqim dhe degradues, duke lënë shije të hidhur se, në LDK ka diktaturë, ashtu sikur e tha edhe Kusari Lila.
Paralajmërimet se Vjosa Osmani mund të kthehet në LDK, tani mund të ndodhë pasi po shihet se shumëkush prej atyre që ishin në mendje t’i bashkoheshin Vjosa Osmanit kudo që ajo do të kishte parti të re, nuk ka ndezur.
Është përfolur në qarqe okulare se Lutfi Haziri, do të shkojë te Vjosa Osmani.
Është folur në çarshinë jozyrtare se, pas Vjosës do të shkojë Lumir Abdixhiku, besa edhe do kryetarë komunash e që nuk janë pak.
Për Fatmir Rexhepin dhe Haxhi Avdylin, dihen gjërat. Është folur në çarshinë okulare se, te Vjosa Osmani do të kalojnë së pakut tetë deputetë të LDK-së të këtij mandati parlamentar.
U hap kjo temë këto ditë dhe kur të përfolurit që do ta braktisnin LDK-në e demantuan , ndryshuan gjërat.
Pra, ishte një test për ta parë gjendjen në LDK, kush është andej e kush këndej.
Me gjasë po duket se në LDK gjërat janë mjaftë stabile.
Përvoja e kalimit në LDD te Nexhat Daci, u ka shërbyer si shembulli më i mirë se kushdo që ndahen nga shtëpia e vjetër, duhet të fillojë jetën nga luga dhe piruni.
E lugën dhe pirunin në LDK i ka bërë Ibrahim Rugova.
Por, këta që po duan ta ndajnë, nuk janë Amerikë as Ibrahim Rugovë. Safet Krivaca / Kosovarja /