Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për situatën e sotme në veri.
.Ai në një konferencë të jashtëzakonshme për media, thotë se këtë që ka ndodhur sot e ka paralajmëruar në Bruksel e Berlin dhe se serbët në këtë sulm nuk janë nga Beogradi por janë serbë të Kosovës të rebeluar nga terrori i Kurtit.
Ai tha se po të kishte ndërhyrë KFOR-i, do të kishte më pak viktima.“Serbët e Kosovës u rebeluan duke mos dashur ta durojnë më terrorin e Kurtit. Nuk dua ta arsyetoj vrasjen e policit shqiptar, kjo është për t’u gjykuar dhe është diçka që nuk iu desht askujt e më së paku popullit serb. Kurti është organizatori kryesor i kaosit në Kosovë. Tre serbë janë vrarë, dy me snajper nga një distancë e madhe, që nuk ka pasur nevojë të ndodhë. Një person është në pikëpyetje nëse do mbijetojë, nuk i kanë dhënë ndihmë. E kemi incizimin ku qeshen policia e Kosovës, thonë lëre le të vdesë. Ata shfrytëzuan snajperë dhe qëlluan edhe në shtëpi private në Banjskë. Ishin disa persona të moshuar aty”, u shpreh Vuçiq.
“I vetmi fajtor për gjithë këtë është Albin Kurti, me ndihmën e disa ndërkombëtarëve. Ai dëshiron luftë dhe konflikt. Ai provokon dhe më vjen keq që serbët ranë në provokimet e tij”, tha Vuçiq.