Aktore e këngëtare që skenën e ka si shtëpinë e saj.
Ryva Kajtazi është personazh publik shumë familjar për një publik të tërë, pasi prej shumë vitesh është në skenë, në ekran, produktive dhe e pa ndalshme, shkruan “Kosovarja”.
Për Ryven dihet shumë, por ka ende për tu thënë. Ja gjërat që nuk i dinit për Ryva Kajtazin:
Çfarë është më me rëndësi për ty në sjelljen e një projekti të ri?
Që brenda tij të ketë frymë timen, si në këngë ashtu edhe në videoklip. Asnjëherë nuk tentoj të ndryshoj në thelb vetëm për hirë të tendencave.
Nëse do të flasim për matësin e suksesit të një artisti, cili do të ishte ai?
Jetojmë në kohën e një morie barometrash, por unë them se publiku është fjala e fundit.
Ku ndahen dhe ku takohen muzika, biznesi dhe aktrimi për të cilin je diplomuar?
Kudo duhet art, shije, finesë dhe shpirt.
Në aktrim apo në këngë i ke patur duartrokitjet më të fuqishme?
Duartrokitjet e fundit mbesin në kujtesë. Pra, janë ato të skenës së muzikës. Edhe në aktrim jam duartrokitur, e do të duartrokitesha besoj edhe më shumë nëse do të aktivizohesha sërish.
Sakrificat që ke bërë në emër të profesionit?
Ndonjëherë duhet të dalësh nga vetja. Mua nuk më pëlqen. Por, ky profesion ka raste kur të nxjerr nga lëkura. Besoni, është sakrificë.
Cilat janë fjalët e duhura për të të përshkruar?
E papërshkrueshme.
Cila është gjëja të cilës i përkushtohesh më tepër?
Familjes, muzikës, shëndetit.
Ç’lloj propozimi do ta merrje seriozisht në konsideratë?
Një rol në Hollivud. Pse jo?
Çfarë mendon kur dëgjon për çifte që bashkohen dhe ndahen sot?
Jeta ka të mirat dhe të këqijat e saj. Asgjë nuk është kopsht me lule, as dashuria.
Dashurinë dhe urrejtjen një fill i ndan…Si i shikon, si vijnë tek ti këto dy ndjesi?
Mua më duket se I ndan një botë e tërë, sepse ato janë dy botë të kundërta.
Cila është një pyetje që ia bën shpesh vetes?
Ku je? /Kosovarja/