Kosova është tronditur këtë vikend nga dy ngjarje të rënda në Rrafsh të Dukagjinit.
Pas vrasjes së dyfishtë në Vitomericë të Pejës, është gjetur edhe një trup tjetër i pajetë.
Bëhet fjalë për një femër rreth 20 vjeçare e cila u gjet e vdekur në Gllogjan të Deçanit, e që dyshohet të ketë kryer vetëvrasje.
Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili edhe ka dhënë detaje në lidhje me rastin.
“Sot në orët e mëngjesit, pas orës 06 e 10 minuta, policia është njoftu për një rast në fshatin Gllogjan. Kur ka arrit në vendin e ngjarjes, e ka gjet një trup të pajetë, vdekjen e ka konstatu edhe mjeku i Qendrës së Mjekësisë Familjare.
Janë kryer të gjitha procedurat policore, njësitet kompetente të gjitha kanë dalë në vendin e ngjarjes. Prokurori i shtetit dhe me urdhër të tij, është dërgu për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ka thënë ai.
Derisa kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës, duke treguar edhe emrin dhe duke publikuar fotografinë e saj.
“I tronditur nga lajmi për vdekjen e Heroina Mehmetaj nga fshati Gllogjan.
Me shpresën që qytetit tonë të mos i ndodhin më vdekje të tilla, nga zemra ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mehmetaj, zoti ua lehtësoftë dhimbjen”, shkruan Ramosaj./Indeksonline