Sot bëhen 24 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut.
Më 21 maj të vitit 1999 kanë rënë dëshmorë Ekrem Gudaqi e Kemal Thaqi dhe martirët Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi.
21 maji 1999, pos që ka sjellë dhimbje të pashërueshme për banorët, kjo datë do të mbahet në mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjen e bagëtive.
Nga 180 shtëpi sa ka pasur fshati Stagovë më 20 maj, të nesërmen ushtria dhe policia serbe ka djegur dhe shkatërruar mbi 50 për qind të tyre, apo përkthyer në numra mbi 90 shtëpi. Pra, këto fakte flasin qartësisht për qëllimet e regjimit serb të Millosheviçit, që ka qenë jo vetëm zhdukja fizike, por edhe ajo materiale e qenies shqiptare, që përkufizohet si qëllim gjenocidal ndaj një kombi, në këtë rast shqiptarëve të Kosovës.
Për shënimin e kësaj dite, këshilli organizues nga fshati Runjevë dhe Stagovë, në bashkëpunim me OVL- UÇK dhe Komunën e Kaçanikut, organizon manifestim përkujtimor në fshatin Stagovë, në orën 12:00. Pas përmbylljes së manifestimeve do të bëhen homazhe në Kompleksin Memorial te Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik./kp