Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka njoftuar se 34 persona nga kjo komunë të testuar për koronavirus kanë dalë negativë. Në mesin e të testuarve ishin edhe 12 punëtorë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kamenicë.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kastrati ka thënë kujdesi duhet të vazhdoj njëjtë duke qëndruar në shtëpi pasi që kjo sëmundje është e panjohur dhe mund të prek secilin.
“12 punëtorë shëndetësor nga QKMF në Kamenicë si dhe 22 banorë të fshatit Topanicë të cilët u testuan, fatmirësisht rezultuan negativ për virusin SARS-CoV-2”, ka shkruar Kastrati.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pas mesnate ka konfirmuar edhe tri raste të reja me koronavirus, dukë bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 135. Që nga 8 shkurti, në laboratorin e IKSHP’së, janë testuar 1 mijë e 743 mostra të dyshimta për COVID-19, raporton Express.