fbpx

Sot 1 Prilli, dita e rrenave

nga Revista Kosovarja

Sot është 1 Prilli, dita që në mbarë botën njihet si Dita e Shakave apo Gënjeshtrave. Kjo traditë, e cila ka rrënjë të vjetra pagane, dikur simbolizonte ardhjen e pranverës.

Në fillesat e krishterimit, ata që vazhdonin ta festonin këtë datë shpesh bëheshin objekt talljeje. Dijetarët ofrojnë versione të ndryshme mbi origjinën e kësaj dite, por dy hipoteza kryesore mbeten më të besueshmet.

Sipas njërës prej tyre, dikur 1 Prilli shënonte fillimin e vitit të ri. Mirëpo, pas miratimit të kalendarit Gregorian në vitin 1564 nga Mbreti Charles IX, viti i ri u zhvendos në janar.

Disa njerëz refuzuan këtë ndryshim dhe vijuan ta festonin në prill, duke u bërë kështu objekt talljeje nga të tjerët – një traditë që më vonë u shndërrua në festë shakaje.

Hipoteza tjetër lidhet me ritet pagane të kalendarit Julian, sipas të cilit 1 Prilli simbolizonte ardhjen e pranverës dhe festohej me sakrifica, dhurata dhe shaka.

Me përhapjen e krishterimit, këto rite u zëvendësuan me festime fetare, por tradita e shakave mbijetoi ndër shekuj.

Pavarësisht prejardhjes së saj, Dita e Shakave vazhdon të festohet sot në shumë vende të botës, duke sjellë humor dhe situata argëtuese mes njerëzve.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]