Donald Trump e shpërfilli një ‘kërcënim’ të mundshëm të bërë nga një këshilltar i Udhëheqësit Suprem të Iranit, i cili pretendoi se presidenti amerikan mund të sulmohej ndërsa po pushonte në resortin e tij në Mar-a-Lago.
Mohammad-Javad Larijani, këshilltar i Ali Khameneit, e bëri paralajmërimin për Trump gjatë një diskutimi rreth teknologjisë ushtarake të Iranit që u transmetua në televizionin iranian më 9 korrik.
Ai qeshi ndërsa ndau mendimet e tij se si Trump mund të sulmohej potencialisht, duke sugjeruar se kjo mund të ndodhte pa asnjë paralajmërim.
“Trump nuk mund të rrezitet më në Mar-a-Lago, sepse ndërsa është shtrirë, një mikro-dron mund ta shënjestrojë dhe ta godasë drejt në kërthizë”, tha Larijani.
Këshilltari më pas vazhdoi të sugjeronte se Irani nuk do të kryente një veprim të tillë, pasi tha: “Sigurisht, ne luftojmë si burra”.
Megjithatë, kjo nuk e ndaloi komentin të dilte kur Trump foli më vonë në një intervistë për Fox News, transmeton Telegrafi.
Prezantuesi i Fox, Peter Doocy, iu referua kësaj vërejtjeje ndërsa e pyeti Trumpin se kur ishte rrezitur për herë të fundit në diell, të cilit presidenti amerikan iu përgjigj: “Ka kaluar shumë kohë. Nuk e di, ndoshta isha rreth shtatë vjeç. Nuk jam shumë i dhënë pas kësaj”.
Më pas ai vazhdoi të përpiqej t’i hidhte poshtë komentet e këshilltarit tërësisht, duke treguar me sa duket se nuk ishte aspak i shqetësuar.
Kërcënimet e Larijani vijnë vetëm disa ditë pasi Trump tha se do të merrte ‘absolutisht’ në konsideratë bombardimin e Iranit përsëri, pasi SHBA-të nisën sulme në tre nga objektet kryesore bërthamore të Iranit në qershor.