Mikrobiologu Lul Raka thotë se Kosova është në rrugë të mbarë për të mbyllur fazën e parë të koronavirusit. Kriza sipas tij është menaxhuar mirë, derisa ka bërë thirrje që të vazhdohet të respektohen këshillat e IKPSHK’së dhe MSH’së.
“Mendoj që jemi në rrugë të mirë që të përfundojmë këtë cikël të pandemisë. Rezultatet e ditëve të fundit kanë qenë të pritshme sepse ka pasur lirim të masave, ka pasur qarkullim më të madh të njerëzve dhe është pritur një rritje. Mirëpo kjo rritje ka qenë e menaxhueshme. Ajo kryesorja që ka ndodh është që të gjitha masat që janë marrë nga institucionet shëndetësore dhe përmbushja e këtyre këshillave nga qytetarët e Kosovës kanë bërë që kapacitetet shëndetësore të Kosovës të mos mbingarkohen me rastet e Covid-19, dhe ky ka qenë qëllimi kryesor i masave që janë marrë”, thotë Raka për RTV21.
“Menaxhimi ka qenë efikas dhe unë i përgëzoj të gjitha nivelet e kujdesit parësor por jo vetëm institucionet e kujdesit shëndetësor por edhe qytetarët e Kosovës që iu kanë përmbajtur në pjesën më të madhe të rasteve këshillave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKPSHK’së”, shtoi ai.
“Kujdesi duhet të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim pa marrë parasysh që ka numër të vogël sepse gjatë kësaj jave kemi parë një fluks të madh të njerëzve nëpër rrugët e Kosovës në të gjitha qytetet dhe kjo duhet të bëhet me kujdes”, theksoi ai.