Zgjedhjet lokale në katër komunat veriore të Kosovës kanë dhënë rezultatet e veta zgjedhore, duke sjell katër kryetarë shqiptarë në katër komunat veriore, shkruan “Kosovarja”.
Djegia e shtëpive të shqiptarëve andej Ibrit, pas lufte nuk është përshkuar me kthimin e shqiptarëve në vatrat e tyre në pronat kadastrale.
Serbët e veriut, me ndihmën e Beogradit, gjatë gjithë pasluftës kanë qëndruar në aksione të përgatitura të sulmojnë dhe të rrënojnë çdo mur shtëpie të shqiptarëve që kishin nisur rindërtimin për kthim në trojet e tyre.
E, institucionet e Kosovës, cilado qeveri që ka qenë në pushtet, e edhe kjo e tashmja, pak kanë punuar në pengimin e kësaj dukurie, për të mos thënë fare!
Megjithatë, shumë shqiptarë, në mesin e të cilëve më stoiku është Ali Kadriu, kanë rezistuar të qëndrojnë në shtëpitë e veta, pavarësisht presionit të përditshëm serb dhe ofertave të Beogradit për t’ua blerë shtëpitë me çmim astronomik, vetëm e vetëm për ta krijuar një zonë të plotë strategjike serbe.
E tash, katër kryetarët që fituan votën për kryetar komunash, a do të mund ta bëjnë agjendë aktuale rivendosjen e shqiptarëve në shtëpitë e veta në veri?
Gjithashtu, a do të kenë fuqi t’i sfidojnë ndërtimet ilegale të Serbisë në lagjen “Lugina e Diellit”, ku flitet se do të vendosen 10 mijë kolonë serbë?
Andaj, sfidat për kryetarët e rinj në katër komunat me shumicë serbe janë tejet të mëdha…
Ata do të përballen me rreziqe të shumta nga serbët, por sfida më e rëndë do të jetë rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve në vatrat e tyre etnike dhe kthimi i të shpërngulurve shqiptarë në trojet e veta.
Safet Krivaça /Kosovarja/