Ka vetëm 1 vit e gjysmë që u bë pjesë e skenës muzikore shqiptare.
Don Xhonin do ta mbajmë mend gjithmonë si fenomenin e pandemisë pasi ditët e karantinës ishin “fat” për shpërthimin e talentit të tij gjithandej.
Artisti i ri nga qyteti i Drenasit të Kosovës sot gëzon një sukses të jashtëzakonshëm dhe lirisht mund të themi që konkurron me kolegët e tij që prej vitesh janë në skenë.
Por Xhonatan Isufi, emri i vërtetë i reperit, pretendon se ka thyer rekordin e kësaj vere sa i përket numrin të publikut dhe kështu duket të jetë bazuar edhe në pamjet e publikuara në rrjete sociale.
Don Xhon përmbylli sezonin veror me një koncert në qytetin e Skënderajt dhe pritja për të ishte madhështore.
Mijëra njerëz ishin mbledhur në sheshin “Adem Jashari” të qytetit për të parë e dëgjuar nga afër artistin e ri që vie po nga ai rajon, ai i Drenicës.
I habitshëm është fakti që gjatë performancës u dëgjuan edhe shkrepje armësh nga ana e publikut dhe kjo gjë ka “gëzuar” reperin.