Askush nga subjektet partiake nuk kanë të drejtë të thirren në popull, duke aluduar se e kanë popullin me vete.
Populli nuk është 25 %, prandaj asnjë lider nuk e ka të drejtën të thirret në këtë masivitet.
Liderët partiak, kanë të drejtë të thirren në elektoratin e vet për aq sa e posedojnë atë me votë.
Çdo thirrje tjetër është manipulim, duke dashur të nxisë edhe të tjerët t’i bashkohen shifrës gjithë popullore.
Popullin nuk e ka asnjë parti, por tri partitë që fituan më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, janë ato që e kanë një shumicë të votuesve, por as këto nuk e kanë tërë popullin.
Në zgjedhjet e 6 tetorit ku fituese doli VV, kanë votuar rreth 41% e elektoratit të përgjithshëm, prandaj edhe po ta kishte fituar tërë këtë shifër një parti e vetme, nuk mund të thuhet se e ka popullin me vete.
Fakti, se nuk kanë votuar 59% e popullit, tregon se mbi gjysma e tij, nuk janë përcaktuar zyrtarisht për askënd.
Kemi dëgjuar në vazhdimësi figurat e Vetëvendosjes duke u shprehur në favor të tezës se, populli ka votuar pro VV-së dhe kemi dëgjuar në vazhdimësi se, si askush tjetër nuk ka legjitimitet qeveritar pos fituesit, pra VV-së.
Edhe këto ditë kur në SHBA, qeveria Hoti nënshkroi Marrëveshjen, nga VV kanë dalë shumë komente dhe konfirmime se, gjoja qeveria Hoti, nuk ka të drejtë të bëjë marrëveshje.
Vetëvendosja po thirret në legjitimitet, por legjitimitetin e përbën mazhornaca e Vetëvendosje nuk ka fituar shumicën.
Secila parti duhet të përmbahet nga propaganda që sjell poena politik, aq më pak të kritikojnë të tjerët që morën rolin udhëheqës të shtetit, meqë fituesi ra ndesh me partnerin strategjik të shtetit të Republikës së Kosovës me SHBA-në, e cila edhe këto ditë përmes Grenellit e cilësoi Kurtin si kundërshtar të Amerikës.
Lideri i Vetëvendosjes tashmë është etiketuar nga SHBA si një antiamerikan, pa marrë parasysh nëse kjo është reale apo jo dhe, vetë fakti që ai ka ardhur në këtë pozitë, e luhatë besimin e vet te partneri kryesor strategjik i shtetit të Kosovës.
Ajo që tani po arsyetohet nga VV, se po t’ishte Kurti antiamerikan nuk do t’i fitonte zgjedhjet e 6 tetorit, nuk është dëshmi faktike e këtij konstatimi.
Kurti gjatë fushatës parazgjedhore, nuk është kualifikuar si antiamerikan se, po të ishte deklaruar kundër, nuk do t’i fitonte zgjedhjet.
Pa dashur të komentohen raportet – pro apo antiamerikan, çka do t’i kushtojë VV-së në zgjedhjet e radhës, fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit, nuk ka të drejtën të thirret në popull, ashtu siç nuk e ka të drejtën të thirret asnjë parti tjetër, sepse askush se ka popullin me vete. Safet Krivac / Kosovarja /