Kjo është një kohë shumë e mirë për të udhëtuar me avion me çmime mjaft më të volitshme. JetBlue në fillim të gushtit nxori bileta deri në 20 dollarë për udhëtime drejt New York City dhe Detroit ose Los Angeles drejt Las Vegas.
Alaska Airlines kohët e fundit bëri ofertën “ Bli një biletë, merr një tjetër falas” , një marrëveshje kjo e njohur për shitësit e këpucëve.
Oferta të tilla janë pasojë e rënies së ndjeshme të interesit për të udhëtuar më avion nga frika e përhapjes së koronavirusit.
Pandemia e ka goditur rëndë industrinë e aviacionit ndërsa udhëtimi ajror është reduktuar me gati 66%.
Kompanitë ajrore po bëjnë ç`është e mundur për të garantuar sigurinë e pasagjerëve me shpresën t`i joshin njerëzit sërish dhe ka mjaft ekspertë që këmbëngulin se nuk ka rrezik për t`u infektuar nga Covid 19 në avion, kjo pjesërisht për faktin se ajri në kabinë freskohet vazhdimisht.
“Shanset që një individ në bordin e një avioni të ulet pranë një pasagjeri të infektuar dhe të marrë virusin, janë të ulëta”, thotë Dr. Robin Thompson, ekspert I epidemiologjisë pranë Universitetit të Oxford-it.
“Megjithatë, kur shumë persona udhëtojnë, gjasat që të ketë përhapje të infeksionit dhe rreziku që virusi të transportohet nga një vend në tjetrin, nuk mund të mos merret parasysh”, shton ai.
Henry Harteveldt, analist i industrisë së udhëtimit pranë grupit Atmosphere Research Group, thekson se industria amerikane e aviacionit, e cila ka marrë vetëm disa udhëzime të përgjithshmë nga qeveria federale, duhet të ketë një lloj protokolli të qartë sigurie të lëvizjes. Ai kujton sesi vende si Franca për shembull, I kërkojnë udhëtarëve ndërkombëtarë që të testohen për Covid 19.