Deklaratat e Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe zyrtarëve të Ministrisë që ai udhëheq po del të jene kundërthënëse lidhur me testet për COVID-19. Zemaj po deklaron që ka mungesë të testeve, derisa në Ministri thonë që ka mjaftueshëm, ani pse nuk pranojnë që të tregojnë numrin e testeve në dispozicion, për arsye që siç thonë e tejkalojnë rrafshin shëndetësor.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik duket se po përballet me mungesën e testeve për COVID-19.
Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt, zyrtarë të këtij institucioni kanë kërkuar që të furnizohen me teste të reja. Thotë se 12 mijë të tilla pritet që të vijnë në vend gjatë ditës së sotme.
“Më lejoni të theksoj se vetëm dy ditët e fundit, nga IKSHPK informacioni i saktë është që mungojnë testet në masë të madhe dhe kjo ka qenë shqetësuese për mua. Sot përmes atyre që iu shkon falënderimi i madh, diasporës do të sigurohen 12 mijë teste dhe do të dërgohen në IKSHPK. Ne do t’i shqyrtojmë dhe kërkesën e deputeteve për mjek specializantë”, ka thënë ministri Zemaj.
Por, krejt ndryshe deklarojnë në zyrën për media të kësaj ministrie.
Udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun, Faik Hoti i ka thënë Gazetës Express të mërkurën se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka sasi të mjaftueshme të testeve në stok.
Kur është pyetur për numrin e testeve në dispozicion, Hoti ka thënë se nuk mund të bëhet publik.
“Për arsye që e tejkalojnë rrafshin shëndetësor, numrin e testeve në dispozicion nuk mund ta bëjmë publik. Për momentin, IKSHPK ka në stok sasi të mjaftueshme të testeve për të kryer testimet e nevojshme sipas indikacioneve te percaktuara”, ka thënë Hoti.
Sipas Hotit, IKSHP’ja mund të furnizohet gjatë kësaj jave me teste të reja.
“Teste të tjera mund të kemi qysh gjatë kësaj jave, si donacion apo edhe nga kontrata kornizë në fuqi, por e përsërisim, për momentin IKSHPK është i furnizuar me teste për punimin e mostrave”, thuhet në përgjigjet e Hotit drejtuar Gazetës Express.
Ndryshe, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, që nga 13 marsi kur janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirusin e ri e deri sot, janë testuar 17 mijë e 479 persona të dyshimtë për koronavirus.
Nga testimi i këtyre mostrave, pozitive kanë rezultuar 1 mijë e 298. Deri tani janë shëruar 913 pacientë, derisa betejën me koronavirusin e kanë humbur 31 persona, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.