Përshëndetje e bekuar, jam nënë e katër fëmijëve. Jetoj me burrë jashtë Kosovës. Kurrë nuk kemi pasur telashe të mëdha, pos me fëmijët në fazën e adoleshencës së tyre.
Si të gjithë, edhe unë kam “Facebook” dhe deri para një viti ka qenë çdo gjë mirë, kur edhe filluan t’më shkruajnë komente, të cilave nuk ua vura veshin fare.
Një person, kohëve të fundit, më kërcënon se nëse nuk dal të pi kafe me të, do t’i bëjë keq burrit tim… Sipas tij, unë nuk paskam ndryshuar fare nga koha e dikurshme…
Unë në rini e kam njohur një djalë, por ai është vrarë gjatë luftës, andaj me të tjerë nuk kam pasur punë.
Burri im mendon se kjo është një blof dhe nuk ka të keqe prej saj, por kam frikë se mund të na ndodhë ndonjë gjë e keqe…
A kam rrezik nga ky person apo është diçka kalimtare?
“Pa shifër”
Përgjigje:
Qasja e tij me shkrime, komente e kërcënime, tregon se jo gjithçka është e thjeshtë. Sepse, nuk mund ta injoroni një kërcënim që e bën një i panjohur.
Ti mund të mos kesh pasur asgjë me atë person, por mund të kesh qenë në syrin e tij për kohë të gjatë në vendlindje.
Kërcënimi nuk mund të injorohet, por mënyra për ta zgjidhur këtë ekziston. Para së gjithash, janë organet e rendit që ia vlen ta paraqitni dhe lidhjet nga serveri qendror do të tregojnë më detajisht nëse ai është person real apo i rremë.