Derisa pi kafe në një restorant në rrugën “Vellusha” në Prishtinë, vjen një grua bukur në moshë, shtrin dorën dhe kërkon 10 centë…
“10 centë! Ju lutem, vetëm 10!”.
I kisha dy euro nga një. Ia jap njërën.
Dhe, pasi më falënderon vazhdon tutje…
“10 centë, ju lutem, vetëm 10!”, refren ky i përhershëm…
Nuk di nga është lypësja, por e shoh shpesh në kafene të ndryshme të Prishtinës.
Ndoshta është nga Llapi, sepse ashtu më duket e folmja e saj…
Nga vendi që Migjeni mori TBC-në…
Ndërkohë, vjen edhe një femër tjetër me fëmijë në krahë. Nga pamja shihet qartë se është nga Shqipëria, nga atje ku Migjeni mori TBC-në nga refrenet e tillë. Kërkon para, por nuk shoh se i jep kush…
Pas pak vjen një lypsar kosovar, por me stil ndryshe. Shpeshherë të njëjtin e shoh edhe në semaforë dhe, teksa u lypë para femrave shofere, kur ndonjëra ulë xhamin për t’i dhënë ndonjë cent, ia prek edhe flokët!
Afrohet afër meje dhe sikur më njeh që moti, më prek me gishta në faqe dhe më thotë:
“M’i jep 50 centë, menjëherë!”.
Dhe, dikush i jep para nga frika, dikush nga mëshira…
“Ja, merri dhe shko!”, i thotë njëra.
Kryesisht, nga frika i japin para femrat, sidomos vajzat e reja, sepse ai di edhe t’i maltretojë: i prekë në trup, në faqe, në flokë…
Ky është lypësi më modern i Prishtinës…
E ka gjetur mënyrën si të fitojë, sidomos nga vajzat e reja…
Keq, them me vete, derisa pi makiato 3-4 lypës të sillen përreth dhe s’ke si të pish kafe rehat…
U ka ardhur gazepi në maje të hundës!
Por, ndalem dhe mendohem: Njeriu nuk e shtrinë dorën bash kollaj, pa pasur ndonjë gazep…
Nuk e shtrinë dorën pa i ardhur shpirti në maje të hundës…
Mirëpo, edhe a mbahet shpirti me 10 centë?!
I. ILAZI /Kosovarja/