Qeveria Hoti, përveçse ka rënë nën minimumin e numrave për funksionim, normalisht ka probleme edhe me partinë “NISMA”, shkruan “Kosovarja”.
Lajmet që u dhanë këto ditë se qeveria Hoti po lëkundet seriozisht, mund të jenë të vërteta, meqë ajo edhe me AAK-në ka probleme, për të cilat po fshihen shumë detaje.
Megjithatë, qeveria Hoti gjatë tërë kohës sa PDK-ja të mos jetë pro rrëzimit të saj, ajo mund të qëndrojë në pushtet.
Me burgosjen e deputetit Etem Arifi, për mashtrim të subvencioneve qeveritare tek pakica e ashkalinjve në Lipjan, qeveria Hoti ka mbetur vetëm me 60 deputetë, gjë që është nën minimumin e funksionimit të saj.
Dhe, me një gjendje të tillë numrash, që është nën minimumin e duhur për miratim ligjesh në legjislativin e Kuvendit të Kosovës, qeveria Hoti mund të thuhet se i ka ditët e numëruara.
Ajo që jep të kuptosh pse qeveria Hoti nuk po rrëzohet nga opozita, është fakti se diçka e tillë mund të pritet pas zgjedhjeve të 3 nëntorit në SHBA, kur gjërat do të qartësohen më shumë.
Gjithashtu, edhe procesi i Gjykatës Speciale në Hagë po krijon mjegull nëse qeveria Hoti duhet rrëzuar a jo, apo të lejohet funksionimi i saj që të vazhdojnë bisedimet me Serbinë.
Sidoqoftë, faktori ndërkombëtar nuk e dëshiron rrëzimin e qeverisë Hoti, por edhe skena e ardhshme politike në Kosovë nuk është sqaruar akoma sa u përket mundësive për koalicione.
Po ashtu, dihet se LDK-ja e VV-ja nuk pritet të përafrohen për ndonjë koalicion. Megjithatë, deri më tani as PDK-ja e VV-ja nuk kanë ndonjë bashkëveprim që qon te konstatimi se këto dy parti mund t’i përafrojnë qëndrimet për një qeveri të përbashkët në të ardhmen.
Prandaj, kjo gjendje e mjegullt nuk e sqaron një fitues bindës që mund të jetë qeveria e së ardhmes, sepse asnjë parti e vetme nuk ka gjasa ta bëjë mazhorancën qeveritare. S. K. /Kosovarja/