Një aksident i rëndë me pasojë vdekje ka ndodhur pasditen e së premtes në magjistralen Ferizaj–Gjilan, saktësisht në fshatin Kllokot.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se në aksident ishte i përfshirë një automjet transportues të tipit Citroen Berlingo, me drejtues Drilon Frangu, rreth 34-vjeçar, i cili dyshohet se duke mos ia përshtatur shpejtësinë kushteve të rrugës, ka goditur këmbësorin Mustafa Zeqiri, rreth 87-vjeçar.
Sipas hetimeve të para, këmbësori ishte duke kaluar rrugën kur është përplasur nga automjeti.
Fillimisht, viktima u dërgua me urgjencë në Qendrën Emergjente të Gjilanit, ku mori tretman mjekësor, por rreth orës 20:45 ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të rënda.
Me urdhër të Prokurores kujdestare, shoferi është ndaluar për 48 orë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti po hetohet si “Aksident trafiku me pasojë vdekjen e këmbësorit”.
