Gjatë ditës së djeshme, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Hashim Thaçi, është ngritur aktakuzë e re.
Në arsyetimin e ZPS-së thuhet se ndaj Thaçit është ngritur aktakuzë nën dyshimin se pa penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, ka shkelur fshehtësinë e procedurës, si dhe ka shfaqur mosbindje ndaj gjykatës.
Në aktakuzë ku Dhomat e Specializuara të Hagës kanë listuar ato që pretendojnë se janë faktet e tyre të aktakuzës, tregojnë për bisedat që Hashim Thaçi ka pasur me Fadil Fazliun gjatë kohës kur ky i fundit e kishte vizituar ish-presidentin në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Sipas aktakuzës, Thaçi i ka dhënë të njëjtit informacione konfidenciale për dëshmitarët e rastit dhe i ka dhënë udhëzimet Fazliut që duhet t’i përcillte tek një dëshmitar. Kjo ka ndodhur më 2 korrik të vitit që lëmë pas.
“Hashim Thaçi ishte drejtuesi ose organizatori i grupeve. Ai dha informacionin konfidencial që i ishte bërë i njohur gjatë gjykimit të tij, që mundësoi (tentativën për) pengimin e personave zyrtarë. Ai gjithashtu u dha udhëzime Fadil Fazliut, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe të tjerëve se si të ndikonin në mënyrë të paligjshme te dëshmitarët e ZPS-së”, thuhet në aktakuzë.
Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi deklaroi se një gjë e tillë është e pazakontë.
Miftaraj tha për IndeksOnline se kjo është e pazakontë për arsyen se si prokuroria në fund të 2024-tës, dhe kur gjykimi kryesor është pothuajse në fazën finale e më numër shumë të vogël të dëshmitarëve të mbetur, ZPS-ja del me një akuzë të tillë.
“Për ne si IKD integriteti i procesit gjyqësor sigurohet duke i mbrojtur dëshmitarët pa pikë dyshimi”, tha ai.
Sipas tij, në raport me ish-presidentin Thaçi, publiku pret që të dëshmohet integritet, besim e paanshmëri nga ana e Prokurorisë Speciale.
“Në raport me presidentin Thaçi, publiku pret që prokuroria të dëshmojë integritet, besim dhe paanshmëri në rastin kryesor dhe assesi të marrë vëmendjen përmes këtyre veprimeve që, e përsëris, janë të pazakonta kur jemi në fund të marrjes në pyetjeve të dëshmitarëve të prokurorisë”, përfundoi Miftaraj.