Albulena Haxhiu, Ministrja e Drejtësisë, ka reaguar rreth temës së fundit që është krijuar në opinionin publik, pas deklaratave të Shkëlzen Gashit këshilltarit të kryeministrit në largim, Albin Kurtit, i cili tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UCK), ka kryer krime.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu ka shkruar se lufta e UCK-së ka qenë e drejtë dhe çlirimtare.
“Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe çlirimtare. Kauza e popullit shqiptar për çlirim e pavarësi ka qenë e drejtë. Gjykata Speciale ka qenë gabim dhe e dëmshme, e cila ka vendosur paralele në mes të Kosovës dhe Serbisë për krimet e luftës”, ka shkruar Haxhiu.
Tutje ministrja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se ata që votuan Gjykatën Speciale i kanë bërë dy goditje të mëdha shtetit të Kosovës.
“Ata që e kanë votuar këtë Gjykatë i kanë bërë dy goditje të mëdha shtetit të Kosovës, duke goditur luftën çlirimtare dhe duke goditur sistemin e brendshëm të drejtësisë në Kosovë. Pushtetet e kaluara asnjëherë s’i kanë trajtuar seriozisht krimet e luftës, i kanë lënë pa kapacitete institucionet e drejtësisë por qeverisja jonë ka zotime të qarta në këtë drejtim”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka përfunduar duke thënë se “Krimet e luftës nuk mund të vjetërohen dhe kriminelët do të dalin para drejtësisë!”.
Këshilltari i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit, Shkëlzen Gashi ka deklaruar sot në emisionin Frontal në T7 se duhet të dënohen të gjithë ata që kanë kryer krime gjatë luftës. I njëjti thotë se gjatë fushatës në zgjedhjet e fundit, e ka këshilluar Kurtin që të mos del kundër Gjykatës Speciale.
I pyetur se a ka ndërruar qëndrim për Gjykatën Speciale, Gashi thotë se ka organizata ndërkombëtare që flasin për krime që janë kryer nga ish-ushtarë të UÇK -së.
“Çka mendon ti pse është themeluar Gjykata Speciale, pse dy të tretat e deputetëve të Kuvendit e kanë votu themelimin, një nga mospajtimet e mia me LVV, unë mendoj që duhet me u themelu. Unë mendoj që po janë faktet e organizatave ndërkombëtare që flasin për krime që individ nga radhët e UÇK -së i kanë bërë ndaj civilëve të pafajshëm dhe unë mendoj që duhet me u dënu”, ka thënë Gashi. /Insajderi/