Numër i madh i aksidenteve janë shkaktuar ditën e djeshme anembanë vendit.
Por njëri prej tyre mori jetën e katër personave, të gjithë familjarë nga Komuna e Shtimes.
Sipas informacioneve të para të publikuara dje u tha se deri tek aksidenti erdhi për shkak se automjeti i tipit ‘Audi’ me targa vendore, që po drejtohej nga E.M, 22 vjeç po qarkullonte nga drejtimi i Ferizajt drejt Shtimes dhe me të arritur në Koshare, për shkaqe ende të panjohura ka kaluar në anën tjetër të lëvizjes. Me këtë rast i njëjti është ndeshur me automjet VË Golf me targa vendore, i cili po qarkullonte në drejtimin e kundërt.
Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën 4 persona të cilët ishin në automjetin VW Golf : N.R. 39-vjeçar – drejtues i automjetit, XH.R., 60-vjeçare, S.R. 32-vjeçare dhe Y.R., 12-vjeçar.
Personat e lënduar janë I.R., 32-vjeçe, e cila është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë, dhe e cila ishte pasagjere në automjetin VË Golf, Y.H., 21-vjeç dhe L.H. 21-vjeç, pasagjerë në automjetin Audi, dhe të njëjtit, pasi kanë marrë tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj, janë liruar.
Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor – Ferizaj ka marrë të gjitha masat e nevojshme për hetimin e rastit, në koordinim edhe me Prokurorin e Shtetit nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i cili ka dalë në vendin e aksidentit.Me vendim të tij, trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa i dyshuari, drejtuesi i automjetit Audi, E.M, ndalohet në mbajtje për 48 orë.
Ndryshe familjarë e miq të shumtë kanë shkruar së fundi për katër familjarët që humbën jetën në këtë aksident, ndërsa Komuna e Shtimes ka shpallur ditë zie.