Me përplasje të shumta po vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës.
Në këtë seancë nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi është përdorur termi “Qeveri Koti” dhe “Qeveri e Paligjshme”.
Lidhur me këtë ka reaguar shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili ka kërkuar mocion procedural për largimin nga seanca e deputetit të VV-së.
Por, Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka thënë se Administrata e Kuvendit nuk ka vlerësuar se mund të kërkohet mocion procedural për deputetin Artan Abrashi lidhur me këtë çështje.
Madje, ajo ka aluduar se gjatë seancës, Arben Gashi i është drejtuar asaj me fjalët “A jeni normal”. Osmani ka thënë se edhe lidhur me këtë do të kërkon interpretim nga Komisioni për Legjislacion.
“Unë do të kërkoj nga Administrata, siç ju njoftova është Komisioni për legjislacion i cili trajton ndër të tjera edhe çështjet e rregullores. Do të kërkoj nga ai komision që të konstatojë nëse fjala “Koti” është shkelje apo gjuhë jo parlamentare. Veç pak në momentin që ai komision e konstaton një gjë të tillë, atëherë unë do tua ndaloj deputetëve që ta përdorin. Por në të njëjtën kohë, sepse kishte këtu më shumë se 20 dëshmitarë që ta konstatojnë në qoftë se bërtima e juaj në raport me mua kur më thatë: “a jeni normal” të konstatohet se a është shkelje apo ajo. Sepse e lexuat drejtë që duhet të respektohet autoriteti i kryetares, e do të duhet ta bëni vetë këtë”, u shpreh ajo.