Pa marrë parasysh se dje Lajçak tha se në “Kosovë nuk ka nevojë për një Republikë Serbe”, tendenca e tij dhe e Borrellit mbetët formimi i Asociacionit në Kosovë, shkruan “Kosovarja”.
Borrell para pak ditësh tha se “Kosova duhet ta formojë Asociacionin, ndërsa Vuçiçi duhet ta pranojë gjenocidin”.
Por, logjika ndërmjet Asociacionit dhe njohjes së gjenocidit nga Serbia ka dallim esencial:
Nëse formohet Asociacioni, Serbia fiton ndërhyrje në shtetin e Kosovës. Ndërkaq, me njohjen e gjenocidit në Kosovë, Kosova nuk fiton asgjë…
Sepse, të vrarët e të masakruarit tashmë nuk janë gjallë, ndërsa Asociacioni relativizon të ardhmen serbe.
Dy emisarët evropianë duhet të precizojnë për cilin asociacion flasin, kur dihet se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është deklaruar se një organizëm i tillë e tejkalon Kushtetutën e Kosovës, duke i kaluar vijat e kuqe, në të paktën, 40 raste.
Borrell e Lajçak, nga evropianët, si dhe Eskobar, nga SHBA-të, duhet të mos e ngritin edhe një problem ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse Asociacioni është mollë sherri e të ardhmes ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Qeveria e Kosovës dhe Presidenca duhet të mbajnë qëndrim të prerë për mos-themelim të Asociacionit.
Dhe, arsyet për një gjë të tillë janë të shumta…
Në radhë të parë, Asociacionit i ka skaduar koha.
Në vitin 2013 dhe 2015 është folur shumë për njohjen e Kosovës nga Serbia. Dhe, në frymën e asaj lëvizjeje, është pranuar ideja për Asociacionin, por me kusht që Gjykata Kushtetuese të deklarohet për verdiktin e mostejkalimit të kompetencave.
Të drejtat e serbëve në Kosovë janë realizuar me decentralizimin e pushtetit lokal nga Plani i Ahtisarit, duke formuar komuna të reja serbe dhe ato bartin të gjitha të drejtat legjislative dhe juridike lokale për serbët.
Andaj, nëse formohet Asociacioni, ai ka për qëllim shkatërrimin e shtetit të Kosovës, në radhë të parë. Safet Krivaça /Kosovarja/