Avni Krasniqi, 37 vjeç, bashkëshort dhe baba i tre fëmijëve, e ka nisur rrugën e tij profesionale duke sfiduar një paragjykim të zakonshëm: se “si frizer nuk fiton dot para”. Sot ai thotë se pikërisht ajo që dikur shihej me dyshim, u kthye në profesionin që i realizoi të gjitha ëndrrat.
“E kuptova që për mua nuk ishte çështje parash, por pasioni. Thashë me vete: qoftë shumë apo pak, unë dua të bëj punën që më sjell gëzim,” tregon ai. Ky vendim, sipas tij, ishte pika e kthesës: “Kur punën e bën me dashuri dhe përkushtim, suksesi vjen vetë.”
Barbershopi i tij, “Barbershop Men’s Time”, është konceptuar në stilin amerikan: hapësirë e ngrohtë, e hapur dhe me atmosferë shoqërore. “Klientët tanë nuk vijnë vetëm për flokët apo mjekrën. Ata bisedojnë, relaksohen, pinë diçka. Shumë prej tyre janë kthyer në miq të vërtetë,” shpjegon Avniu. Investimi i tij emocional dhe profesional e ka shndërruar sallonin në një pikë referimi, me klientë që vijnë nga gjithë rajoni. “Nuk e kam pritur që që nga barbershopi i parë puna të shpërthente kaq shumë, por ndodhi, dhe ishte klientela që ndërtoi reputacionin tonë.”

Një pjesë e konsiderueshme e klientëve vjen nga Zvicra dhe Gjermania. Avniu vëren dallime të qarta: “Klientët zviceranë dhe gjermanë kërkojnë paketë të plotë: korrektësi, organizim, komunikim profesional. Shqiptarët janë më të përqendruar te estetika dhe trendi. Të dy palët kanë kërkesat e veta dhe unë jam krenar që i kemi fituar të gjithë me seriozitet dhe respekt.”
Duke menaxhuar disa sallone, Avniu thotë se qetësia është elementi që e mban ekipin të stabilizuar: “Jam i qetë nga natyra dhe përpiqem të mos transmetoj stres. Ne jemi të sinkronizuar, secili e di rolin e vet, dhe kjo energji e brendshme reflektohet menjëherë te klienti.” Ai është veçanërisht krenar për ekipin e ri që ka krijuar, të cilin e përshkruan si “plot energji pozitive”.

Në përzgjedhjen e stafit, ai i jep rëndësi karakterit: “Aftësitë teknike mund të mësohen. Por kultura e punës, edukata, komunikimi dhe sjellja me klientin janë të brendshme.” Kjo qasje, sipas tij, ka qenë thelbësore në konsolidimin e frymës së punës brenda sallonit.
Lidhur me trendet, thotë se kërkesat janë të qarta: “Fade ka vite që është stil dominues te meshkujt.” Ndërsa te klientet femra, kërkohet më së shumti balayage me kalime të buta dhe ngjyra natyrale.

Të kuntojmë se që nga viti 2016, Avni Krasniqi hapi barbershopin e tij të parë; vetëm një vit më vonë vijoi me hapjen e sallonit të dytë. Para dy vitesh, ai e zgjeroi konceptin me sallonin e tretë, “Hairtime”, të dedikuar për shërbime për femra dhe meshkuj, ku punojnë edhe bashkëshortja dhe motra e tij — të dyja frizere profesioniste. Sot, biznesi i tij është i mbështetur nga një ekip prej 13 personash, të cilët ndajnë të njëjtin standard profesional dhe pasion për punën. Lokacionet e “Men’s Time” dhe “Hairtime” ndodhen në zonën e Waldshut-Tiengen, në kufirin me Zvicrën.
View this post on Instagram

Avni Krasniqi është shembulli i një profesionisti që e ka ndërtuar karrierën mbi pasion dhe disiplinë, duke e kthyer një profesion të nënvlerësuar dikur në një histori suksesi që po zgjerohet nga viti në vit.
