Bajrush Xhemajli nga “PDK“, një nga figurat e njohura të politikës në vend, për të pestën herë ka fituar një vend në Kuvendin e Kosovës.
Xhemajli, që ndër vite ka mbajtur poste me rëndësi në kuadër të “Partisë Demokratike të Kosovës”, pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, pat deklaruar se “PDK”-ja do të jetë opozitë e fuqishme, e se mjet do ta ketë argumentin.
Pas ngjarjeve të fundit në skenën politike në vend dhe thirrjes për vëllavrasje, me shqetësim ka reaguar deputeti Bajrush Xhemajli, duke thënë se “Vetëvendosjes” nuk do ti falet kurrë mbjellja e urrejtjes ndaj njëri-tjetrit.
“Lëvizjes Vetëvendosje, nuk do t’i falet kurrë, historikisht, për mbjelljen e urrejtjes ndaj njëri-tjetrit e, aq më tepër, përgatitjen e një vëllavrasje të përgjakshme.
E, Vetëvendosja, veç kanë bërë ushtrime të shumta, me vite, duke dhunuar njerëz në mes të rrugës, duke hedhur gaz lotsjellës në Kuvend, e mollotov në institucione e nëpër oborre të njerëzve, në emër të një kauze të rreme dhe, tash, duan që, në emër të zgjedhjeve të reja, të përmbysin Kosovën, veç pse nuk duruan që me votë të lirë, nga përfaqësuesit e popullit, e në mënyrë demokratike, t’i merret besimi për të qeverisur!”.
Ky është postimi i deputetit Xhemajli, lëshuar në faqen e tij në Facebook.