fbpx

Bakoyannis: Kosova i ka përmbushur kërkesat për anëtarësim në KiE

nga Revista Kosovarja

Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës rreth orës 17:30, ka filluar diskutimi lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë.

Dora Bakoyannis, e cila edhe e ka përpiluar këtë raport, tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Ajo ka thënë se juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës.Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.

Bakoyannis ka përmendur hapat që ka bërë Kosova për t’i përmbushur kushtet, përfshirë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Kishës Ortodokse serbe në Deçan.Këtë e ka quajtur si “problemin më të madh në zbatimin e ligjit në Kosovë që ka pritur nga viti 2016”.

Duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ajo ka thënë se këtë e ka konsideruar si çështje krejtësisht në kompetenca të brendshme të Kosovës. Por, ka thënë se kjo ka qenë një gur themel në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që e udhëheqë BE-ja.

Prandaj, shtoi ajo, kjo çështje nuk është në duart e Këshillit të Evropës.Ajo ka folur edhe për komente agresive që i ka marrë për raportin, shumicën e tyre prej vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Ajo u ka thënë atyre se duhet të jenë të sinqertë dhe të pranojnë se këto vende në asnjë rast nuk do ta mbështesnin raportin.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]