Serbia po e luan lojën e rrezikshme në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar promovimin e forcës së shtetit në rajon përmes projekteve ekonomike. E, pre e kësaj politike, me qëllim a pa qëllim, ka rënë Edi Rama, shkruan “Kosovarja”.
Kryeministri i Shqipërisë dhe Shqipëria nuk do të ishte mirë ta provonin fatin e Kosovës në 100 vjetët e kaluara, e as fatin e rajonit të ish-Jugosllavisë nga Sllovenia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina e Kosova.
Shtrohet pyetja: Pse nuk po marrin pjesë në këtë nismë rajonale, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova?
Përgjigjen le ta jep Edi Rama. Sidoqoftë, përgjigja është e thjeshtë:
Dy republikat e ish-Jugosllavisë (Mali i Zi e Bosnja-Hercegovina), e që ishin shtete të plota federative, janë të rrezikuara të gëlltiten dhe ripushtohen nga Serbia, njëjtë si Kosova dikur.
Në Mal të Zi ekzistojnë strukturat e shërbimit sekret të Serbisë dhe Rusisë. Andaj, a i kujtohet Edi Ramës provokimi i grusht-shtetit në Mal të Zi, për të cilin disa vite më vonë akterët morën dënimin e merituar?
Po ashtu, Mal të Zi janë të shtrira strukturat e MUP-it të Serbisë, të koordinuara me kishën serbe dhe priftërinjtë që janë në aksion prej vitesh, nën maskën e religjionit.
Andaj, a i kujtohet Edi Ramës arrestimi i 8 priftërinjve në Mal të Zi para dy vjetësh dhe pse u arrestuan?
Në Bosnjë-Hercegovinë, gjithashtu, janë zyrtare pengesat e Serbisë drejt dështimit të shtetit me tri federata.
E, Kosova veç është me pengesa të shtrirjes së shtetit institucional…
Andaj, Kosova assesi nuk guxon të përfshihet në nismat e Serbisë, sepse pas tyre fshihet gjithmonë diçka e rrezikshme për shqiptarët!
Kosova edhe ashtu lëngon nga malli i Serbisë, për të cilin Serbisë i shkon zyrtarisht 1/3 e buxhetit.
Kosova edhe ashtu e ka mallin e Serbisë çdo kund dhe është momenti i fundit të hiqet dorë nga biskotat dhe çokollatat e Serbisë, shijen e të cilave shqiptarët e Kosovës e kanë paguar qe 100 vjet rresht me shpërngulje masive, me persekutime, me burgosje kolektive, me kolonizim, me dhunime, me zhdukje të popullatës nëpër varreza masive nëpër Serbi.
Andaj, shqiptarët e Kosovës nuk dëshirojnë ta shohin edhe Shqipërinë në atë derexhe siç ka qenë Kosova…
E, pse merr pjesë në këto nisma Zoran Zaevi i Maqedonisë, Kosova e ka të qartë. Maqedonia ka qenë aleati më i afërt i Serbisë, në persekutimin e shqiptarëve nëpër burgun e “Idrizovës”.
Sidoqoftë, “Ballkani i hapur” është projekt politik i Serbisë dhe Rusisë për ta kthyer ndikimin e tyre edhe një herë në Ballkan.
E, shqiptarët e Kosovës i kanë ende edhe mbi 1600 persona të zhdukur nëpër Serbi, ndërsa Rama nuk dëshiron të merret me të kaluarën, sepse syri i tij sheh vetëm kah e “ardhmja”!
Andaj, është mirë që Edi Rama të ndalet me turrin që e ka marrë, e të mos shpallet i padëshiruar në Kosovë, ashtu sikur po kërkojnë mijëra komentues në rrjete sociale, kur po e shohin krah Vuçiçit, e duke punuar në dëm të Kosovës… Safet Krivaça /Kosovarja/