fbpx

Bërnjaku e Merdarja të mbyllura, Jarinja e bllokuar për qytetarët me dokumente të Kosovës

nga Revista Kosovarja

Dy pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Bërnjaku dhe Merdarja, janë mbyllur mbrëmë për qarkullim. Ndërkohë, pika kufitare në Jarinje vazhdon të jetë e bllokuar për qytetarët me dokumente të Republikës së Kosovës.

Fillimisht u mbyllë pikëkalimi në Bërnjak. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, tha se grupe ekstremistësh të maskuar në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.

Ai bëri me dije se një familje kosovare që po udhëtonte për në Gjermani është kthyer prapa me forcë.

“Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne. Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”, shkroi Svecla.

Pas mesnatës, ai njoftoi se është mbyllur edhe pika kufitare në Merdare.

“Pas veprimeve të njejta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë dhe gjithë kjo para syve të autoriteteve të Serbisë, mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë. Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situates”, shkroi Svecla.

Kryediplomatja Donika Gërvalla reagoi pas mbylljes së Bërnjakut, ku tha se kjo pikë do të qëndrojë e mbyllyur derisa të largohen personat e maskuar dhe të kthehet lëvizja e lirë.

“Në pikën kufitare në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë. Vetura e policisë serbe veç shikon dhe nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij seleksionimi racist dhe fashist, i cili sjell në mendje kohë të errëta dhe si i tillë nuk guxon të tolerohet. Pika kufitare në Bërnjak mbyllet deri sa të largohen të maskuarit dhe të kthehet lëvizja e lirë”, shkroi Gërvalla.

Ministria e Punëve të Jashtme u bëri thirrje qytetarëve dhe mërgimtarëve që udhëtojnë drejt Kosovës apo nga Kosova në drejtim të shteteve tjera të marrin masa të kujdesshme dhe të përdorin pikat e tjera kufitare.

Ndryshe, përfaqësues nga disa shoqata serbe kanë bllokuar rrugët pranë tri pikave kufitare me Kosovën në territorin e Serbisë. Grupe të vogla njerëzish u mblodhën pasditen e 6 shtatorit në kalimet kufitare në Merdare, Jarinë dhe Bërnjak, ku ndaluan kamionë dhe drejtues makinash me dokumente të Kosovës. Bllokimi i rrugëve u bë pas mbylljes së pesë institucioneve paralele serbe në veri të vendit nga autoritetet e Kosovës.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]