Dihet që presidenti amerikan, Joe Biden, i do qentë, por a u dha atyre së fundi më shumë merita sesa e meritojnë.
“Qentë mund ta ndihmojnë shërimin e kancerit. Nuk është shaka”, tha para gazetarëve shefi i Shtëpisë së Bardhë të martën gjatë një vizite në një spital për kancer.
President Biden: "Dogs may help cure cancer. Not a joke." pic.twitter.com/fCx50Ehwn5
— The Hill (@thehill) March 23, 2021
Më saktësisht, është raportuar se qentë mund të ndihmojnë për zbulimin e kancerit te njeriut përmes aftësisë së tyre shumë të mirë për nuhatje dhe për t’i njoftuar pacientët dhe punëtorët shëndetësorë. Zbulimi i hershëm besohet se sjell rezultate më të mira të mjekimit për pacientët.
Megjithatë, deklarata e presidentit amerikan se qentë mund ta ndihmojnë shërimin e kancerit nxiti disa reagime në rrjete sociale.
Disa theksuan se deklarata e Bidenit nuk e mori vëmendjen e njëjtë të medieve si komentet e ish-presidentit Trump në të kaluarën.
Një përdorues madje tha se deklarata e Bidenit është lajm i vjetër, sepse qentë janë trajnuar për nuhatjen e kancerit te njerëzit për vite të tëra, duke i sugjeruar presidentit që të lexojë një libër.
Biden, që e humbi të birin Beau nga kanceri në kokë në vitin 2015, është zotuar që luftën kundër kancerit ta bëjë çështje me vëmendje thelbësore në administratën e tij.