Amerikanët, sidomos ata të moshës nën 35 vjeç kanë ulur ritmin e konsumimit të alkoolit pasi është raportuar se edhe konsumimi i një deri në dy pijeve alkoolike në ditë është në dëm të shëndetit.
Sipas një sondazhi që Gallup e publikoi ditë më parë, gati gjysma e amerikanëve, 45 për qind, kanë deklaruar se mendojnë që edhe një deri në dy pije alkoolike në ditë janë të dëmshme për shëndetin. Kjo është përqindja më e lartë e regjistruar në sondazhin që është kryer 10 herë që nga viti 2001, shkruan CNN.
65 për qind e të rinjve janë ata që kanë më shumë predispozita të thonë se konsumimi i alkoolit dëmton shëndetin, krahasuar me 37 për qind të grupit tjetër që përbëhet nga moshat 35 deri në 54 vjeçe dhe 39 për qind e të rriturve mbi moshën 55 vjeçe.
Vetëm 8 për qind e të rriturve kanë raportuar se mendojnë që konsumimi i moderuar i alkoolit ka ndikim pozitiv në shëndet.
Më shumë të rinj po zgjedhin të abstenojnë, gjithashtu, ndërkohë që koktejet joalkoolike po bëhen gjerësisht të qasshme dhe njerëzit po e ndjejnë më pak presionin e shoqërisë që të pinë alkool.
Një tjetër sondazh, po ashtu nga Gllup, i cili u publikua vitin e kaluar, ka gjetur se 62 për qind e të rriturve nën moshën 35 vjeçe kanë deklaruar se pinë alkool, një rënie e përqindjes për 10 pikë krahasuar me 20 vjet më parë.
Sidoqoftë, pyetësori gjithashtu ka gjetur gjithashtu ngritje të përqindjes për 10 pikë tek të rriturit mbi 55 vjeç, të cilët kanë deklaruar se konsumojnë alkool dhe se një studim i ri ka treguar se kjo gjë mund të jetë e dëmshme për shëndetin në përgjithësi.
Veçmas kësaj, një studim i ri ka gjetur se konsumimi i moderuar i alkoolit nuk i bën mirë shëndetit të të rriturve, duke iu kundërvënë atyre që për shumë kohë kanë besuar se një deri në dy gota alkool, sidomos verë, mund të ndikojë për të mirë. Në vend të kësaj, studimet e fundit kanë bërë të ditur se alkooli mund të jetë koncerogjen i fortë dhe është kontribuues potencial edhe për sëmundje të tjera, si depresioni dhe problemet me mëlçi e veshka.
“Alkooli është kancerogjen dhe është kontribuues i rreth 50 arsyeve të vdekjes”, ka thënë doktori Timothy Naimi nga Universiteti i Victorias në Kanadë.
Ai gjithashtu ka thënë se sa më pak alkool që konsumohet aq më mirë është për shëndetin.
Ata që thonë së konsumimi i moderuar i alkoolit nuk iu bën dëm, mund të kenë stil të jetës më të shëndetshëm, gjë që do të thotë se janë më aktiv fizikisht dhe konsumojnë ushqim më të shëndetshëm.
“Konsumimi i moderuar i alkoolit, mund të jetë reflektim i një stili më të shëndetshëm jetese, por ne mendojmë se efektin e mirë të konsumimit të një gotë verë të shoqëruar me ushqim, nuk e bën alkooli por faktorë të tjerë që nuk mund t’i kontrollojmë”, ka thënë doktoresha Rosario Ortola, nga Universiteti Autonoma i Madridit në Spanjës.
Studiuesit konkluduan se përjashtimet e tilla mund të nxisin mendimin se alkooli mund të ketë vlera ushqyese, të tilla si antioksidantët në verë, por për këtë janë të nevojshme studimet e mëtutjeshme.