Produksioni ndërkombëtar IFTP-Production ka konfirmuar se aktorja gjermano-indiane Suzanne Bernert, me eksperiencë të gjatë në kinemanë e Bollywood-it, do të interpretojë rolin kryesor në filmin “Birth of the Prince”. Lajmin e ka bërë publik menaxheri i IFTP për Zvicrën dhe Kosovën, Musa Sylejmani, në një intervistë ekskluzive për “Kosovaren”.
“Pas një procesi të gjatë kastingu të drejtuar nga regjisori Adem Kicaj, vendimi për të besuar rolin e Netës aktores Suzanne Bernert ishte i qartë. Me menaxherin e saj kemi mbyllur të gjitha formalitetet dhe xhirimet do të zhvillohen në Kosovë dhe Zvicër”, theksoi Sylejmani.

Kast i pasur dhe emra të njohur shqiptarë
Përveç Bernert, pjesë e kastit janë: Ida Lekaj, modele dhe aktiviste humanitare; Fetije Ibraj, studente e dalluar në IFTP Akademi; si dhe aktorë të njohur si Avdullah Gjikokaj, Safete Rugova, Luan Kryeziu e shumë të tjerë. “Lista është e gjerë dhe nuk mund t’i përmendim të gjithë, por secili ka një rol të rëndësishëm”, shtoi Sylejmani.
Një tjetër emër i rëndësishëm në ekip është regjisorja shqiptare Klodi Kadillari, e cila do të jetë ndihmës-regjisore gjatë xhirimeve në Kosovë dhe Zvicër.

Xhirimet nisin më 15 shtator në Kosovë
Sipas Sylejmanit, klapa e parë do të bjerë më 15 shtator 2025 në Kishën e Sallagrazhdës, Suharekë. Lokacione të tjera përfshijnë Prizrenin dhe qytete të ndryshme zvicerane.
Filmi, i konceptuar si një epos familjar, do të jetë në 80% gjuhë gjermane dhe 20% shqip. Skenari është shkruar nga regjisori Adem Kicaj 22 vite më parë dhe, sipas produksionit, nuk ka pësuar ndryshime, për të ruajtur autenticitetin.
Nga kastingu deri te sfidat gjuhësore



Përzgjedhja e aktorëve u bë përmes aplikimeve online. “Ishim të drejtë dhe transparentë. Disa kandidatë nuk plotësonin kriteret, disa të tjerë ishin të angazhuar në projekte të tjera. Studentët tanë janë përfshirë si pjesë e praktikës”, u shpreh Sylejmani.
Ai pranoi se sfidat më të mëdha kanë qenë ato gjuhësore dhe logjistike, por shtoi se ekipi ka krijuar mekanizma bashkëpunimi. “Presim që Suzanne dhe aktorët lokalë të krijojnë skena të gjalla dhe emocionale.”
Muzika dhe mesazhi i filmit
Për muzikën e filmit do të kujdeset Galaxy Cinematic Studio, me kompozitorin Sami Hoxha, i cili do të sjellë një kolonë zanore moderne evropiane.
Filmi synon të përcjellë një mesazh universal mbi dashurinë, familjen dhe bashkëpunimin ndërkulturor. “Ky nuk është një projekt për YouTube, por një film profesional që do të shfaqet në festivalet më të mëdha ndërkombëtare dhe më pas në platformat streaming globale”, theksoi Sylejmani.


Bashkëpunimi Kosovë–Zvicër dhe pritjet
Sipas tij, “Birth of the Prince” është një urë kulturore mes kinemasë shqiptare dhe asaj zvicerane, e cila promovon talentet shqiptare në arenën ndërkombëtare. Filmi trajton tema të forta sociale dhe universale: identiteti, sakrifica dhe dashuria familjare.
“Shpresojmë që publiku ta përjetojë emocionin pavarësisht gjuhës, sepse arti i vërtetë nuk njeh kufij”, shtoi menaxheri.

Premiera dhe e ardhmja e IFTP
Pas përfundimit, filmi do të ketë një premierë madhështore në Zvicër dhe më pas në Kosovë. “Ky projekt është vetëm fillimi. Synojmë të realizojmë edhe filma të tjerë ndërkombëtarë dhe të bëhemi një emër i fortë në industrinë botërore të kinemasë”, deklaroi Sylejmani.
Ai dha edhe një mesazh për të rinjtë shqiptarë që ëndërrojnë kinemanë:
“Mos u dorëzoni kurrë. Me punë, disiplinë dhe pasion, talentet tona mund të arrijnë sukses në botë.”
Xhirimet nisin në më pak se një javë dhe pritjet për “Birth of the Prince” janë të mëdha – si për publikun vendas, ashtu edhe për atë ndërkombëtar.


Në vend të përfundimit;
Falënderoj mbështetësit, aktorët, studentët dhe gjithë ekipin e produksionit për kontributin në këtë projekt të rëndësishëm. Uroj punë të mbarë gjatë xhirimeve që nisin më 15 shtator 2025. Suksesi i ‘Birth of the Prince’ është rezultat i përkushtimit dhe pasionit të secilit anëtar të ekipit, dhe jam i bindur se publiku ndërkombëtar do ta vlerësojë këtë bashkëpunim unik.”, thotë Musa Sylejmani.
