Pas heqjes së reciprocitetit, faktori ndërkombëtar është në pritje të konsolidimit të radhëve diplomatike për nisjen e bisedimeve Kosovë-Serbi, shkruan “Kosovarja”.
Janë disa zhvillime prej të cilave do të varet nisja e bisedimeve, por pritet që para muajit nëntor të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi, e që do e qetësojë gjithë rajonin.
Ajo që është risi – të gjitha shtetet e BE-së janë për marrëveshje dypalëshe pa i prekur kufijtë. Sepse, prekja e kufijve, pastaj, do marrë përmasa në disa vende të Evropës.
Bie fjala, Spanja ka tri rajone që prej vitesh duan pavarësi, si Katalonia, Andaluzia dhe Baskia.
Po ashtu, edhe në Sllovaki ekziston e njëjta klimë politike. Andaj, këto vende, e që kanë rolin e vet specifik në dialogun Kosovë-Serbi, nuk pritet të marrin guximin ta mbështesin një zgjidhje, duke i prekur kufijtë.
Zgjedhjet në Serbi i shtyjnë bisedimet
Serbia brenda pak ditësh i ka zgjedhjet, prej të cilave pritet që përsëri Vuçiçi të shënojë fitore.
Skena politike në Serbi nuk pritet të pësojë ndryshime, prandaj posa të legjitimohet politikisht struktura politike, pritet të rinisin bisedimet, e që mendohet se do të përfundojnë para muajit nëntor, sepse më pas janë zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Skena politike në SHBA, pas zgjedhjeve të nëntorit, sipas sondazheve të atjeshme, pritet të jetë president Bajdeni.
Dhe, duke mos qenë shumë të bindur se si do të përfundojë e tëra në SHBA, edhe në Kosovë mund të shfaqen befasi sa i përket përfundimit të dialogut Kosovë – Serbi.
Por, ajo që Kosova duhet bërë është që spektri politik i vendit duhet unifikuar për vendime të qëndrueshme shtetërore.
Nëse Kosova do të ketë politikë përçarëse, brenda së cilës partitë pozitë-opozitë shikohen me sy armiqësor, Serbisë i lehtësohet terreni për kërkesa maksimale, që mund të gjejnë përkrahës, meqë një sondazh i ri në këtë temë ka nxjerrë 36% përkrahës për shkëmbim territori. Safet Krivaça /Kosovarja/